Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, ka kërcënuar Kosovën, pasi kjo e fundit ditën e sotme ka filluar aplikimin e masës së paralajmërimit për ata që nuk i kanë zëvendësuar ende tabelat e RKS.

Vuçiçeviç tha se si ministër i Mbrojtjes nuk ka të drejtë të frikësohet nga situata në Kosovë, por se është i shqetësuar për një përshkallëzim të mundshëm.

Ai u shpreh se Serbia është e përgatitur për të gjitha skenaret dhe se me urdhër të presidentit Aleksandër Vuçiç ushtria është në gatishmëri.

“Vijat tona të kuqe janë: nuk ka Stuhi, Vetëtimë, jo 2004. Nëse ndodh një pogrom i serbëve, Serbia do të përgjigjet në mënyrë adekuate”, tha ai.

“Serbia nuk dëshiron destabilizimin e rajonit. Ajo nuk dëshiron, Zoti na ruajt, konflikte apo luftëra. Ne bëmë më shumë luftëra sesa duhej të kishim në shekullin e 20-të. Por administrata në Prishtinë duhet ta dijë se dëshira jonë për paqe, dialog dhe kompromis nuk është shenjë dobësie. Dhe nuk është kërcënim për askënd, ne nuk luajmë me ato gjëra. Këto nuk janë lojëra lufte! Ky është mesazhi i një shteti të përgjegjshëm. Kjo është një ftesë për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve. Serbia nuk do të jetë thes i grushtimit”,  shtoi ndër të tjera.

Kujtojmë se ditën e sotme, 1 nëntor, hyn në fuqi vendimi i qeverisë së Kosovës për targat ilegale të mjeteve në veri të Kosovës.

Zbatimi i këtij vendi është me tre faza. Si fillim ata që janë me targa serbe do të marrin një fletë-qortimi, ku do të udhëzohen që të regjistrojnë veturat e tyre në qendrën e regjistrimi me targa të RKS. Fazë kjo që do të zgjasë deri më 21 nëntor.

Më pas faza e dytë nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes. Nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjera, pas të cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë më targa ilegale në qarkullim.