Real Madrid dhe trajneri i tij i suksesshëm, Carlo Ancelotti, kanë njoftuar përfundimin e bashkëpunimit pas një periudhe të jashtëzakonshme suksesi.

Klubi spanjoll falenderon me shumë respekt dhe dashuri një nga legjendat më të mëdha të historisë së tij dhe futbollit botëror.

Gjatë gjashtë viteve me Real Madridin, Ancelotti u bë trajneri me më shumë tituj në historinë 123-vjeçare të klubit, duke fituar 15 trofe të mëdhenj: 3 Champions League, 3 Kupa Botërore për Klube, 3 Superkupa Europiane, 2 tituj La Liga, 2 Copa del Rey dhe 2 Superkupa Spanjolle.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, tha: “Carlo Ancelotti do të jetë përgjithmonë pjesë e familjes së madhe të Real Madridit. Jemi krenarë për gjithçka që ka arritur dhe mënyrën shembullore me të cilën ka përfaqësuar vlerat tona.”

Nesër në stadiumin Santiago Bernabéu do të zhvillohet ndeshja e fundit e Ancelottit si trajner i Real Madridit, ku klubi do t’i bëjë një homazh të merituar.

Sipas raportimeve të fundit, Ancelotti po përgatitet për një aventurë të re profesionale si trajner i kombëtares së Brazilit.

Real Madridi i uron fat të mbarë Ancelottit dhe familjes së tij në këtë kapitull të ri të karrierës!