Më herët gjatë ditës së sotme, kryeparlamentarja Nikolla është takuar me kreun e Grupit Socialist Taulant Balla dhe tashmë pritet që të takohet me kreun e Grupit të PD-së dhe Fatmir Mediun. Mësohet se takimi po bëhet pasi Autoriteti i Dosjeve njoftoi të martën se një zyrtari i nivelit të lartë me iniciale I.M., rezulton të bashkëpunëtor i Sigurimit.
Kujtojmë se Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, gjatë verifikimit të dokumentave të bashkëpunëtorëve të sigurimit, ka zbuluar se një politikan i lartë shqiptar ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit.
Sipas Autoritetit të Dosjeve, institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur.
Njoftimi i plotë i Autoritetit të Dosjeve:
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, institucion i pavarur, i krijuar për qëllime të informimit të individëve, institucioneve, studiuesve dhe mediave me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ushtron prej 5 vitesh veprimtarinë e tij, bazuar në ligjshmëri, transparencë dhe bashkëpunim me institucionet shtetërore. Në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik. Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur. Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë.Për identifikimin e materialeve të tilla dhe informimin mbi to, Autoriteti kërkon të kthehet vëmendja te ndryshimet e ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” i ndryshuar dhe problematikat e vështirësitë e përsëritura në zbatimin e disa dispozitave.
Konkretisht:
𝐕𝐞𝐫𝐢𝐟𝐢𝐤𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐳𝐲𝐫𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐯𝐞 𝐩𝐞̈𝐫𝐩𝐚𝐫𝐚 𝐞𝐦𝐞̈𝐫𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐝𝐞𝐭𝐲𝐫𝐞̈, në zbatim të nenit 29, pika 4 të ligjit45/2015 i ndryshuar, ku parashikohet: “Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, kur Autoriteti administron apo i janë vënë në dispozicion dokumenti autentik origjinal i certifikatës së pastërtisë së figurës.” Pra, emrat e shqyrtuar më herët nga komisionet Mezini-Bezhani nuk verifikohen nga Autoriteti, me dispozitë ligjore. Nga ana tjetër, neni 29 pika 4 të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar, zbatohet vetëm për kërkesat për informim të paraqitura nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, dhe jo për kërkesat individuale për informim. Në këtë rast, Autoriteti nuk kushtëzohet nga normë urdhëruese dhe e jep dokumentacionin në administrim, siç rezulton nga verifikimi. Disa herë, (nëntor 2018, shkurt 2020, etj.), Autoriteti ka paraqitur propozime për ndërhyrje në ligj sa i takon dispozitës në fjalë, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, KQZ, Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhor edhe OSBE-së. Shqetësimi është paraqitur së fundmi nga znj. Gentiana Sula, në seancën plenare të 21 korrikut 2022, gjatë raportimit të veprimtarisë për vitin 2021. Në këto rrethana, në rastet e shqyrtuara me përgjegjësi për subjektet A. D., Th. S., S. H., Xh. Sh., D. Ç., dhe I. M., Autoriteti e ka bazuar vendimmarrjen në kërkesën për emërim/ngritje në detyrë.
Në rastet kur kërkesa për të njëjtët emra bëhet për verifikim figure, Autoriteti administron të gjithë dokumentacionin mbi personin në fjalë.
Ngërçi e vë institucionin në pozitën që, një vendim i tij në përgjigje të kërkesës institucionale, deklaron se subjekti zotëron certifikatën e pastërtisë se figurës së tij nga komisione të mëhershme verifikuese.
Vendimi tjetër, – i marrë në përgjigje të kërkesës individuale, – shprehet që po i njëjti subjekt rezulton me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.
Të dy vendimet janë të ligjshme dhe në zbatim të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar.
I gjendur më shumë se një herë në situatë të tillë, Autoriteti vlerëson se çdo rrethanë apo
informacion i njohur nga vetë kërkuesi apo publiku, dhe për të cilën Autoriteti është në dijeni apo disponon informacion se ekziston, duhet të pasqyrohet dhe të jetë pjesë përbërëse e vendimit në pjesën përshkruese dhe arsyetuese të secilit vendim.
Kuvendit të Shqipërisë i është kërkuar të ndërhyjë për zgjidhjen e kësaj situate, ku dokumentacioni i funksionimit të komisioneve të mëparshme është jo vetëm me mangësi fizike dhe të anës formale, por në disa raste ka rezultuar i pasaktë në verifikimet e kryera nga Autoriteti në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Përmirësimi i ligjit ndihmon kryerjen e proceseve të punës me përgjegjësi, integritet dhe transparencë, për ruajtjen e besueshmërisë së institucionit për shoqërinë shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë, për sa kohë që figurat e verifikuara për emërim, ngritje në detyrë apo si të zgjedhur qendrorë e vendorë, luajnë rol të rëndësishëm në vendimmarrje dhe politikat publike.
𝐒𝐞̈ 𝐝𝐲𝐭𝐢, 𝐯𝐞𝐫𝐢𝐟𝐢𝐤𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐤𝐚𝐧𝐝𝐢𝐝𝐚𝐭𝐞̈𝐯𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐝𝐞𝐩𝐮𝐭𝐞𝐭𝐞̈/ 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞̈ 𝐛𝐚𝐬𝐡𝐤𝐢𝐞 dhe angazhimi minimal i subjekteve politike, për zbatimin e nenit 30 të ligjit 45/2015, i ndryshuar.
Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, nga 18 parti politike të regjistruara, vetëm dy të tilla, (përkatësisht PDIU, 144 emra dhe Aleanca Popullore për Drejtësi, 141 emra) paraqitën kërkesë për verifikim të kandidatëve për deputetë.
Për zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, vetëm katër subjekte politike (Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare, Partia Bindja Demokratike, Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane, (ABDE), Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë), gjithsej 61 kandidatë, morën në konsideratë këtë proces të rëndësishëm për integritetin e zgjedhjeve.
Autoriteti i është drejtuar me shkresë të gjitha partive politike të regjistruara në zgjedhje (31
gjithsej) që, në zbatim të nenit 30 të ligjit 45/2015, i ndryshuar, të bashkëpunojnë me institucionin për përmbushjen e detyrave për verifikim të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku.
Për zgjedhjet parlamentare 2017 dhe 2021, nga Autoriteti u verifikuan 446 kandidatë për
deputetë, ku 441 rezultuan pa dokumente dhe 5 kandidatë për deputetë figuruan bashkëpunëtorë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.
Autoriteti kërkon të shqyrtohen me prioritet problematikat e ngritura në vite sa i takon verifikimit të figurës së zyrtarëve që emërohen, ngrihen në detyrë dhe përfaqësuesve politikë që marrin pjesë në fushata zgjedhore qendrore e vendore, të cilët kanë impakt të drejtpërdrejtë në politikat publike në vend.
Autoriteti siguron shoqërinë shqiptare, grupet e interesit, institucionet dhe partnerët, që do të vazhdojë të kryejë me integritet, transparencë dhe përgjegjësi institucionale detyrat e ngarkuara nga ligji, për zbardhjen e së shkuarës komuniste, në funksion të së ardhmes dhe konsolidimit të demokracisë. /abcnews.al/