Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në Ditën Botërore pa Duhan, ka publikuar një video me apelin e mjekëve dhe anagazhimin e qytetarëve për lënien e duhanit. Në kuadër të sloganit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë ‘angazhohu për të lënë duhanin sot’, Manastirliu u bën apel të gjithë qytetarëve të heqin dorë nga duhanpirja për një jetesë të shëndetshme.
“Pandemia nxori në pah më shumë se kurrë rëndësinë që ka jetesa e shëndetshme dhe dëmet e mëdha që shkakton duhanpirja. Ndaj, nuk ka kohë më të mirë për të lënë duhanin! Angazhohu edhe ti, për jetesën e shëndetshme. Ndiq këshillat e mjekëve #DitaBotërorePaDuhan”, shkruan Manastirliu.
Në videon e publikuar nga Manastirliu mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të lënë duhanin.
“Asnjëherë nuk është vonë që të heqësh dorë nga duhani. Çdo cigare e shkurton jetën e duhanpirësit me 11 minuta jetë. Një në pesë duhanpirës të rëndë vdesin nga kanceri i mushërive”, shprehet pneumologia Silvana Sadria.
Duke e lidhur me situatën e COVID19, mjekja Anila Rexha thotë se format më të rënda të COVID19 u bënë nga duhanpirësit.
“Periudha e pandemisë na bëri të kuptojmë që pacientët më të riskuar për të bërë forma të rënda të Covid19 ishin pacientët e moshuar dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese”, shprehet Rexha.
Mjekja Gentjana Mecalla rekomandon që qyetarët të lenë duhanin që jeta e tyre të jetë e shëndetshme.
“Për të gjithë duhanpirësit ajo çka rekomandoj, përveçse si mjeke, por edhe si një familjare, lini duhanin! Njerëzit e dashur, jeta është shumë e rëndësishme. Dhe nuk është aspak korrekte që ne ta çojmë dëm duke helmuar vetveten”, thote Mecalla.