Sokol Olldashi, një nga figurat më të spikatura politike të Partisë Demokratike, u nda nga jeta 10 vite më parë.

Më 20 nëntor të 2013-ës, një aksident i rëndë automobilistik në Krrabë i mori jetën Olldashit.

Ai ishte një nga personalitetet që hyri në politikë nga dera e gazetarisë dhe u shqua menjëherë si një nga politikanët më të mençur, më energjikë, me batutën brilante për çdo rast.

Pasi la gjurmë në gazetari, ai shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë për 3 mandate, si ministër i Rendit dhe më pas si ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

Studenti i Dhjetorit ’90 dha një kontribut të pashlyeshëm në Partinë Demokratike, ku edhe kandidoi për kryetar në vitin 2013 përballë Lulzim Bashës.

Sokol Olldashi u shua 10 vite më parë dhe bashkë me të u shua edhe ëndrra për një opozitë të fortë.

Njëri nga figurat më dashura në PD, me mbështetje jashtëzakonisht të madhe, me zërin e fortë kritik ngjalli shpresë për të ardhmen e vendit.

Ai kërkoi të rimodelonte partinë dhe të krijonte një inventar kontributesh për çdo anëtar, për të sjellë një frymë të re, si dhe për të krijuar një forcë fituese dhe oponente përballë pushtetit.

Vetë demokratët pohojnë sot se me Sokol Olldashin PD nuk do të ishte e përçarë, por do të kishim një opozitë më të fortë dhe një të djathtë dinjitoze përballë Partisë Socialiste.

Ikja e parakohshme e tij la një plagë të hapur në zemrat e demokratëve, të miqve dhe të qytetarëve.

Me humbjen e Olldashit, PD humbi një personalitet dhe një deputet të afirmuar, një zë ndryshe brenda saj dhe një perfeksionist në imperfeksionin e opozitës./ CNA