Dy persona kanë rënë në pranga pas një sherri për motivet dobëta që ka ndodhur në Berat, ku njëri prej tyre më pas qëlloi me armë në ajër.

Pasi qëlloi me armë zjarri në ajër shtetasin Ilir Mamurani, policia e ka vënë atë në pranga një ditë më pas.

Arrestohet për Moskallëzim krimi shtetasi Emiljano Zoga, po ashtu i përfshirë në konflikt.

Njoftimi i policisë:

Qëlloi me armë zjarri në ajër, pasi u konfliktua fizikisht me një 25-vjeçar, për motive të dobëta, kapet në kohë rekord, dhe vihet në pranga 55-vjeçari.

Në pranga edhe 25-vjeçari, pasi nuk kallëzoi rrethanat e konfliktit.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me të cilën u qëllua në ajër dhe një armë gjahu gjysmë-automatike.

Procedohet penalisht vëllai i 55-vjeçarit, për posedimin pa leje të armës së gjahut.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “30-vjetori”, ishte qëlluar me armë zjarri në ajër, pas një konflikti midis 2 shtetasve, kanë organizuar punën për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, si dhe për arrestimin e përgjegjësve.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale procedurale, në kohë rekord, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Berat, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. M., 55 vjeç, banues në Berat, i cili dyshohet se rreth orës 12:00, të datës 09.06.2023, pas një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin E. M., ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Gjithashtu, për këtë rast u arrestua edhe shtetasi E. M., 25 vjeç, banues në Berat, sepse pas konfliktit, u largua, dhe nuk dha sqarime për rastin.

Në vijim, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. M., 49 vjeç (vëllai i shtetasit I. M.), pasi gjatë kontrollit në banesë, iu gjet një armë gjahu gjysmë-automatike, të cilën e posedonte pa leje.

Kjo armë gjahu u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit pistoletë me të cilën shtetasi I. M. dyshohet se qëlloi në ajër.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.