Ministria e Financave dhe Ekonomisë vendosi shtyrjen deri më 30 qershor 2022 të periudhës pa gjoba për biznesin e vogël. Kontabilistët e kundërshtojnë vendimin, pasi penalizon të mëdhenjtë, kur ende ka probleme të pazgjidhura. AmCham dhe kompanitë e kasave kërkuan shtyrje të periudhës pa penalitete për një vit. Tatimet nuk presin fiskalizim të plotë për 120,000 subjekte, pasi një kategori e tyre janë mbyllur.

Dorina Azo 

Shtyhet edhe me 6 muaj periudha pa penalitete për biznesin e vogël që nuk është fiskalizuar. Gjobat për subjektet e vogla do të fillojnë të aplikohen pas 30 qershorit 2022, sipas ndryshimeve të Aktit Normativ për shtesën në ligjin “Për procedurat tatimore” i botuar në Fletoren Zyrtare më 27 dhjetor 2021. Afati fillestar ishte 31 dhjetor 2021.

Periudha pa gjoba do të zbatohet deri në fund të qershorit 2022 edhe për ndërmarrjet që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpaguese.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se vendimi synon dhënien e kohës të mjaftueshme që të ngrenë, të përshtasin dhe të familjarizohen me lehtësi dhe sa më mirë me fiskalizimin. “Qasja jonë do të vijojë të jetë edukuese dhe këshilluese, me qëllim rritje e efektivitetit të procesit, zbatimin e plotë dhe raportimin në kohë reale”, pohoi znj. Ibrahimaj.

Vendimi për shtyrjen e periudhës pa penalitete merret kur vetëm 42% e biznesit të vogël janë fiskalizuar. Një vit nga fillimi i fiskalizimit, procesi po zbatohet nga 50% e bizneseve që kanë detyrimin të fiskalizohen dhe me problematika të pazgjidhura teknike. Deri në mesin e dhjetorit, nuk ishin pajisur me certifikata elektronike edhe 25% e subjekteve.

Shtyrja e afatit vetëm për subjektet e vogla u kundërshtua nga kontabilistët, pasi kjo masë automatikisht dëmton sipërmarrjen e madhe. Problematikat që u paraqitën nga kontabilistët në takimin me temë “Fiskalizimi, mundësitë, sfidat dhe vështirësitë”, nuk e shmangin shtyrjen e procesit, jo vetëm për biznesin e vogël, por edhe për të mëdhenjtë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe kompanitë e tregtimit të kasave kërkuan shtyrjen e afatit pa penalitete edhe për një vit për bizneset e pafiskalizuara. Për herë të parë Akti Normativ për mospalikim të gjobave u miratua në fund të muajit shtator 2021 kur nisi zbatimin faza III për tatimpaguesit e vegjël. Vendimi parashikonte përfundimin e afatit të periudhës pa penalitete deri më 31 dhjetor 2021.

Zbatimi i procesit, pavarësisht se nuk është i plotë, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, po jep efekte pozitive në uljen e informalitetit. Për periudhën janar-nëntor, arkëtimi i TVSH-së është 4% më shumë se në 2019-n dhe të ardhurat janë 7% më tepër. Administrata tatimore parashikon se faturimi i ri do të rrisë të ardhurat e TVSH-së 10 deri në 11% më shumë se tani në 5 vitet e ardhshme.

Sa biznese pritet të fiskalizohen 

Administrata tatimore nuk parashikon fiskalizim të plotë të 120,000 bizneseve. Në takimin e zhvilluar me kontabilistët, përfaqësuesja e DPT-së u shpreh se janë një numër subjektesh të mëdha dhe të vogla të mbyllura, por duke qenë se kanë ende detyrime fiskale të papaguara, nuk kalojnë dot në status pasiv.

“Për këtë arsye, numri i bizneseve të fiskalizuara do të jetë më pak se 120,000 subjekte”, pohoi DPT. Deri më 14 dhjetor, sipas të dhënave të Tatimeve që u prezantuan në takim, janë fiskalizuar 60,000 subjekte nga 120,000 i totalit të bizneseve aktive. Me certifikatën elektronike janë të pajisur 89,000 biznese (75% e totalit të tyre). 42% e totalit të bizneseve të vogla janë fiskalizuar, ndërsa po shkon drejt mbylljes procesi për biznesin e madh. Deri në mesin e dhjetorit u fiskalizuan 74% e tyre.