Një rasti i paprecedentë ka ndodhur këtë të diel në Korçë. Gazetarja e Klan News, Daniela Zisi, raporton se një person i vënë nën arrest ka mundur të largohet nga ambientet e Gjykatës së Korçës.

Sipas burimeve i arratisuri është Kristjan Medolli, 21 vjeç, nga fshati Qatrom. Ai ishte paraqitur në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë e cila i ishte vendosur “arrest me burg”.

Policia ka njoftuar se i riu është arratisur nga salla ku po zhvillohej seanca gjyqësore. Policia ka ngritur postblloqe në aksin nacional Korçë-Pogradec për të bërë të mundur kapjen e tij.

Informacioni i policisë:

Mesditën e sotme, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, nga salla ku po zhvillohej seanca gjyqësore, është larguar shtetasi K. M., 21 vjeç, banues në Qatrom, Korçë, (i arrestuar më datë 06.05.2022, për vjedhjen e një banese në fshatin Qatrom).

Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e këtij shtetasi.