Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kemi dyfishuar sipërfaqen e tokës së punuar kombëtarisht, kemi pasur mbi 120 mijë ha tokë që punoheshin ku shkonte uji dhe 240 mijë ha sot që punohen”.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në Gjirokastër,  Rama tha se “është dyfishuar toka që punohet në Shqipëri vetëm për shkak të sistemit të ujit, sepse në shumë zona nuk ishte se njerëzit e kishin braktisur tokën, por nuk kishin ujë. Por kjo nuk do të thotë që puna ka mbaruar”.

“Nuk e diskutoj dot krahasimin si ishte sektori i bujqësisë para 7 viteve dhe si është sot pasi e tregojnë eksportet. E tregon shembulli juaj dhe të tjerë që nuk janë shembuj që i kemi krijuar ne, nuk jeni produkt i qeverisë dhe punës që ka bërë qeveria, mbase ne kemi qenë pengesë që ju të bëni më shumë në rast se kjo që thatë për kanalet ju impakton juve”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sigurisht ne nuk do e ndalojmë punën për rrjetin e kanalizimeve dhe ujësjellësave se nuk kanë mbaruar. Ishte një sistem i tërë kanalizimesh që u shkatërrua në vitet ’90 dhe u la komplet vitet e mëtejshme. Ne kemi hapur magjistrale uji që ishin bllokuar komplet jo më dytësoret e tretësoret”.

“Ne kemi trashëguar nga e shkuara një sistem rezervuaresh që është art, që të jemi realist”, – tha Rama.

/k.s/atsh