Vetëm 30 minuta përpara çeljes së fushatës nga Partia Socialiste, do të jetë PD ajo që do të mbajë mitingun hapës në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se PD do të nisë mitingun e saj duke filluar nga ora 17 e 30, ndërsa nuk përjashtohet një përplasje oraresh me socialistët, që e kanë lajmëruar në orën 18:00 në Sheshin Skënderbej.

Të dyja partitë më të mëdha politike do ta nisin fushatën e tyre nga Tirana, ndërkohë që në orët në vijim pritet që të ketë një mbledhje të Komitetit Teknik të Ekspertëve, që do të njoftojnë dhe një lirim të masave kufizuese sa i takon grumbullimeve.

Partitë politike do të kenë 1 muaj kohë që të bëjnë fushatën e tyre, ndërkohë që para pak ditësh u zbuluan dhe ekipet që do të garojnë në çdo qark.

Risia në këto zgjedhje është fakti se përveç partisë politike, qytetarët do të kenë mundësi që të zgjedhin dhe emrin e deputetit që duan, edhe pse sërish pjesa dërrmuese e tyre janë vullnet i kryetarit, në bazë të numrit që i ka vendosur në lista.

Partia Demokratike ka vendosur në krye të listave për secilin qark drejtuesit e saj politik, ndërkohë që PS ka vendosur që ata të jenë në vende rreziku, me qëllim për të maksimalizuar votat që do të merren nga qytetarët.

Në rast se një kandidat e kalon herësin e një mandati për qarkun, atëherë ai sposton një person që ka më sipër në listë, edhe pse mundësia që kjo të ndodhë për individë jo me peshë në parti, është e vogël.

(E.K/Faxweb.al)