Ishte një ëndërr shumë e bukur, altari i priste pas propozimit në anije, por fati kishte rezervuar një tragjedi për çiftin italian.
Valentina Triolo nuk do të bëhet gruaja e Silvio Maistit, i cili në moshën 35-vjeçare pësoi një atak në zemër, pikërisht në anijen ku u bë dhe propozimi për martesë.
Ishte pothuajse koha për t’u ankoruar në Civitaveçhia, porti i mbërritjes në fund të atij udhëtimi që supozohej të ishte një ëndërr për çiftin dhe fëmijën e tyre 14 muajsh.
Një udhëtim ëndrrash në Mesdhe u kthye në tragjedi. Me çiftin dhe vogëlushin, në lundrim ishin edhe disa familjarë, të cilët një natë më parë kishin qenë gjithashtu dëshmitarë, dhe ishin emocionuar nga skena e propozimit.
Surpriza ishte në skenën e një salle të anijes, ndërsa të afërmit e tjerë kishin marrë video live të atij momenti romantik.
“Shërbimet e urgjencës u thirrën menjëherë” – tha vjehrri i Silvio Maistit, Carlo Triolo, për faqen e internetit Lanuovatribuna.org – “por ata arritën shumë vonë, kur tani nuk kishte asgjë më shumë për të bërë”.
Silvio Maisti kishte ndjerë shqetësime rreth orës 6.20, teksa ishte në shtrat, në dhomë me partneren dhe djalin. Gruaja kërkoi menjëherë ndihmë nga fqinjët e saj të kabinës dhe personeli i anijes.
Familjarët e viktimës akuzojnë se ndihma është dhënë me vonesë.
“Ne mbetëm pa asnjë ndihmë dhe komandanti nuk na shprehu as ngushëllime”, ka thënë më tej vjehrri i Maistit.