Gjykata e Elbasanit ka nisur rigjykimin e dosjes së shtetases Athina Hidri. Ajo u hetua për mashtrim dhe u largua menjëherë nga vendi drejt Greqisë. Në Elbasan, Hidri u dënua nga gjykata në vitin 2015 me 15 muaj burgim nën akuzën e mashtrimit. Ajo u lokalizua në Greqi pas shumë vitesh kërkim dhe u ekstradua në Shqipëri. Gjykata e Lartë vendosi rigjykimin e saj dhe tanimë procesi prej Prillit të këtij viti ka rifilluar në Gjykatën e Elbasanit.

Athina Hidri njihet gjërësisht nga qytetarët e Elbasanit pasi përpara vitit 2013 ajo ishte një ndër personazhet kyçe që merrej me emërimet në administratën publike. Pozitë kjo që sipas burimeve garantohej nga marrëdhënia e veçantë dhe shumë e afërt e saja me deputetin e atëhershëm të Partisë Demokratike Luçiano Boçi.

Dyshja Hidri-Boçi shfaqet edhe në dosjen voluminoze të prokurorisë për rastin e Hidrit. Sipas dosjes, Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan u vu në dijeni për veprën penale të mashtrimit, bazuar në një kallëzim të datës 08.07.2013, ora 12:30. Kallëzimi u bë nga shtetasja E.Saliu  banuese në lagjen Vullnetari. Në kallëzimin e saj, ndërmjet të tjerash ajo deklaron se në muajin Shtator të vitit 2012 ishte informuar rastësisht se një shtetase me emrin Athina Hidri rregullonte për punë persona të cilët ishin pa punë dhe që kishin mbaruar shkollën e lartë.

“Ndodhur në kushtet ku ajo ishte diplomuar në degën Cikli i Ulët pranë Universitetit Aleksander Xhuvani në vitin 2011, është interesuar në lidhje me shtetasen Athina Hidri. Nga fundi i Shtatorit ka mundur ta kontaktojë, në hyrje të pallatit të saj e cila ndodhet në lagjen Vullnetari. Gjatë bisedës, ajo i ka treguar se kishte shumë njohje në Drejtorinë Arsimore në Elbasan dhe në Tiranë. Pas bisedës ajo i ka thënë do të presë tre muaj kohë për të filluar punë në arsim, por se çfarë pune do të fillojë nuk ja ka treguar. Hidri i kërkoi të paguajë 3500 euro si dhe të dërgojë dokumentacionin përkatës. Hidri i tha se eurot i duheshin për të komunikuar me personat të cilët do ta merrnin në punë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Shtetasja E.Saliu deklaron se ka marrë paratë borxh dhe ja ka dhënë Athina Hidrit një ditë më pas në mjediset e lokalit “Mediteran”.

“Pasi kaluan 3 muaj, unë e mora në telefon në numrin 0694881XXX, ajo mu përgjigj menjëherë dhe më la një afat prej dy javësh që unë të filloja punë. Pas dy javësh e mora përsëri në të njëjtin numër telefoni dhe ajo më tha se ka biseduar me shtetasin Luçiano Boçi i cili ishte deputet dhe ai i ka thënë se duhet të prisja edhe dy javë të tjera. Edhe pas dy javësh ajo përsëri më mashtroi duke më thënë se i kam dhënë numrin e telefonit tënd Luçit dhe do të marrë vet në telefon”, thuhet në dosje referuar kallëzimit të E.Saliut.

Nga verifikimet e bëra prej Prokurorisë, në shkresën kthim përgjigje të datës 14.02.2014, Drejtoria Arsimore e Elbasanit ka konfirmuar mashtrimin duke konstatuar se “shtetasja E.Saliu nuk ka aplikuar pranë DAR Elbasan për punësim dhe nuk ka dosje të protokolluar në arshivë”. Pra qartësisht Athina Hidri rezulton se i mori 3500 eurot viktimës duke e mashtruar për punësim me ndihmën e Luçiano Boçit.

Athina Hidri pritet të dëgjohet në gjykatë për të zbërthyer të gjithë skemën e mashtrimit dhe marrëdhënien e saj me shtetasin Luçiano Boçi, përfshirë rolin e tij në këtë mashtrim apo raste të tjera të ngjashme. 

tirana news