Mariglen Isufi, 28 vjeç, është arrestuar nga Policia e Tiranës dhe akuzohet për veprën penale “fshehja e kufomës”. Mësohet se ky shtetas ka qenë duke pirë drogë në një bunker në zonën e Institutit bashkë me Ilir Markun, 36 vjeçarin që u gjet i vdekur dje.

Marku ishte larguar nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më, ndërsa familja kishte bërë dhe denoncim në polici. Viktima është gjetur dje në zonën e Institutit pa shenja jete në një bunker të braktisur.

E në këtë bunker, sipas dyshimeve viktima dhe Mariglen Isufi, kanë qenë duke pirë drogë. Por nga mbidoza, 36 vjeçari ka humbur ndjenjat. I arrestuari i sotëm është larguar për në banesë, duke e lënë mikun e tij të vetëm.

Mëngjesin tjetër ka shkuar sërish tek i njëjti vend ku e ka gjetur Ilir Markun të vdekur.

Mariglen Isufi e ka tërhequr zvarrë trupin e pajetë të Ilir Markut për 10 apo 15 metra dhe e ka futur në brendësi të bunkerit, duke e mbuluar me kartona. Pas dyshimeve se Marku konsumonte lëndë narkotike, Policia intensifikoi kërkimet, ndërsa ra në gjurmët e viktimës.

Tiranë Fshehu në një bunker trupin e shokut që kishte ndërruar jetë duke penguar zbulimin e të vërtetës, vihet në pranga 29-vjeçari.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: – M. I., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e dë vërtetës”. Sipas veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi M. I., është lidhje shoqërore me shtetasin I. M., 36 vjeç, i cili u gjet ditën e djeshme, në një bunker, pa shenja jete dhe pa shenja dhune.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, më datë 17.04.2022, kanë qenë duke konsumuar lëndë narkotike, dhe shtetasi I. M., ka gjetur vdekjen, ndërsa shtetasi M. I., ka transportuar trupin e të ndjerit në bunker, duke kryer veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.