Ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas nuk arritën të gjenin një zgjidhje të përbashkët në takimin e tyre të parë që nga fillimi i pushtimit rus dy javë më parë, ndërsa forcat ruse vazhdojnë sulmet, duke shkaktuar rreth 100 miliardë dollarë dëme deri më tani.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u takua ditën e djeshme në Turqi me homologun e tij rus, Sergej Lavrov.

“Narrativa e gjerë që Lavrov më përcolli, është se ata do të vazhdojnë agresionin e tyre derisa Ukraina të përmbushë kërkesat e tyre, dhe kërkesa më e vogël është që ne të dorëzohemi,” tha Kuleba pas takimit.

Forcat ruse kanë rrethuar shumicën e qyteteve të Ukrainës dhe po shkatërrojnë pjesën më të madhe të infrastrukturës së tyre, duke e bërë evakuimin gjithnjë e më të vështirë dhe në disa raste të pamundur.

Më shumë se dy milionë njerëz janë larguar, duke përfshirë 80,000  vetëm në dy ditët e fundit. Duke folur nga Varshava, Kamala Harris, nënpresidentja e SHBA-së, tha se Rusia duhet të hetohet për krime të mundshme lufte në Ukrainë.

“Nuk kam dyshim se sytë e botës janë te kjo luftë dhe çfarë ka bërë Rusia në Ukrainë”, tha ajo.

/abcnews.al