Prej javësh flitet për rënie të shifrave të infeksionit si edhe të shtrimeve në spital, ku ndodhen të shtruar 41 pacientë. Kjo solli edhe mbylljen e pavijoneve Covid në spitalet rajonale. Por nëse do të shohim numrin e personave të shtruar në raport me totalin e rasteve aktive, atëherë do të vërejmë që nuk janë pak, por më shumë se 5 për qind e të infektuarve aktivë që po ndiqen në kushte spitalore.

Prej ditësh nuk është raportuar asnjë pacient në intubim, ndërsa në terapi intensive ndodhen 6 prej tyre. Të premten është raportuar edhe një humbje jete si pasojë e COVID-19.

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor betejën me COVID19 nuk e ka fituar 1 qytetar nga Tirana, 77 vjeç”, ka bërë me dije ministria.

RASTET

Lidhur me rastet e reja në 24 orët e kaluara janë konfirmuar pozitivë 21 persona.

“Janë kryer 2807 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 21 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 4 raste në Berat, 3 raste në Durrës, 2 raste në Tiranë, Shkodër, Krujë, Kurbin, Gjirokastër, 1 rast në Devoll, Mirditë, Tropojë, Librazhd. Në 24 orët e fundit janë shëruar 55 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,097 që nga fillimi i epidemisë”, thuhet më tej në njoftim.

MASAT

Pas lehtësimit të masave, si heqja e maskës në ambientet jashtë, si edhe shkurtimi i orës policore, është prezantuar edhe plani i masave për sezonin turistik.

Nga Vlora, ministrja Manastirliu tha se më datë 15 qershor do të hapen qendrat shëndetësore verore si dhe do të vijojë dezinsektimi në zonat e përcaktuara nga ekspertët e Shëndetit Publik.

“Përgatitemi për sezonin turistik me të gjitha masat, sipas një plani të mirëstrukturuar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, qoftë për sa i përket vaksinimit të punonjësve të tour-operatorëve, qoftë për sa i përket gjithë programit të dezinsektimit përgjatë zonave të bregdetit dhe sigurisht, hapjes së qendrave shëndetësore verore, të cilat praktikisht janë tashmë të mirëstrukturuara. Jemi duke punuar me stafet, të cilat janë duke u trajnuar nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, për të filluar në 15 qershor me hapjen e qendrave shëndetësore verore, kudo gjatë bregdetit, por edhe në zonat turistike malore”, tha Manastirliu.

Janë 28 qendra shëndetësore verore që do të hapen në zonat turistike, duke filluar nga data 15 qershor. Ndërsa programi i dezinsektimit po vijon në të gjitha zonat e nxehta të përcaktuara nga ekspertët e Shëndetit Publik.