Sali Berisha pasditen e sotme ka zhvilluar një takim me banorët e njësisë nr.5 në Tiranë. Ai i bëri thirrje të gjithëve që t’i bashkohen protestës së thirrur më 6 dhjetor, datë kur liderët e BE-së do të mblidhen në Tiranë. Pavarësisht përgjigjes së policisë, e cila nuk i dha leje opozitës për të protestuar përballë kryeministrisë për shkak të perimetrit të sigurisë, Berisha tha se do të mblidhen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Berisha: Ne jemi në rrugë dhe shesh për të protestuar kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij. Ne dalim më datën 6 për t’i thënë liderëve të Evropës se ky nuk përfaqëson popullin shqiptar dhe se ky është një armik i të gjitha vlerave themelore mbi të cilat janë ndërtuar shoqëritë e lira, armik i votës, kulturës dhe pasurive publike.

Berisha tha se më 6 dhjetor ai që i thotë vetes shqiptar, nuk mund të jetë askund tjetër veçse në protestë kundër Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet.

Berisha: Çdo demokrat dhe demokrate e ka për detyrë më shumë se asnjëherë tjetër të bëjë çdo përpjekje për tu gjetur në orën 12 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Perimetri i sigurisë i lajmëruar nga policia:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në Bulevardin “Bajram Curri” përfshirë sheshin “Nënë Tereza”.

Rruga “Gjergj Filipi” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rrugova” deri tek kryqëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II”.

Rruga ” Lek Dukagjini” në gjithë gjatësinë e saj.

Rruga “Dervish Hima”, rruga “Sheh Ahmet Pazar”, rruga “Faik Konica”, rruga “Skerdilajd Llagar –

Rruga “Papa Gjon Pali II” në gjithë gjatësinë e saj, rruga Asim Zeneli, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Mustafa Matohiti”, rruga “Jul Variboba”, rruga Fatmir Haxhiu”.

Rruga “Ismail Qemali”, nga rruga e “Elbasanit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rrugova”.

/Abcnews.al/