Kryetari i PD Sali Berisha, u ka dërguar një mesazh indirekt kandidatëve për Primaret në 61 bashkitë e vendit, që të mos mendojnë për mënyra të tjera zgjedhjeve përveç votës. Këtë koment ai e bëri teksa u pyet për përplasjen me armë në Degën e PD në Kurbin.
Berisha u shpreh për mediat se ndaj dy kandidatëve të Kurbinit janë marrë masa disiplinore nga Komisioni i Operacioneve Elektorale, pasi shkak i konfliktit është bërë mbushja e listave të votuesve të primareve me militantë.
“Në tërësi procesi i Primareve ka ec normal. Ka patur një problem serioz në Degën e Kurbinit. Në dijeninë time Komisioni Elektoral ka vendosur masa disiplinore ndaj dy kandidatëve. Cilido që mendon për mënyra të tjera përveç votës në këtë proces, gabon shumë rëndë.
Të dielën, më datën 4, do bëhen primaret. Ftoj të gjithë kandidatët, të gjitha degët të bëjnë maksimumin për organizimin e një procesi sa më transparent. Të dorëzohen listat aty ku nuk janë dorëzuar dhe të finalizojmë këtë proces”, u shpreh Sali Berisha.