58 orë e 50 minuta është mbajtur nën përgjim politikani me emrin “Taulant”, në vitin 2016, menjëherë pas masakrës që ndodhi në familjen Çapja ku u vranë me armë tre persona dhe mbetën të plagosur shtatë të tjerë.
Siç shihet në këto dokumente të vitit 2016, Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar mbajtjen nën përgjim të numrave telefonikë të disa personave, mes tyre dhe një numër që i përket një personi dhe nga Prokuroria identifikohet si “Taulant”.
Ndërkohë, referuar akuzave të opozitës, ky person është socialisti Taulant Balla. Pasi ka marrë në shqyrtim kërkesën e prokurorit Petref Asllani, gjyqtarja Zamira Vyshka ka vlerësuar si të ligjshëm vendimin datë 03/02/2016 ora 22:00, për lejimin e përgjimit të bisedave dhe komunikimeve telefonike për numrat celularë:
- 0692296145 që përdoret nga shtetasi Fejzullah Çapja
- 0696738363 që përdoret nga shtetasi Bledar Muça
- 0682055399 që përdoret nga shtetasi Taulant
- 0697512756 që përdoret nga shtetasi Sokol
- 0692296145 që përdoret nga një shtetas i afërm i familjes Çapja
Siç thuhet në dokumentet e “Shijak TV”, përgjimi është lejuar të fillojë në orën 01:20 të datës 04/02/2016 dhe të përfundojë në të njëjtën orë të datës 19/02/2016. Mirëpo, çuditërisht dy ditë më vonë e njëjta gjykatë me kërkesë të së njëjtës prokurori, ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të përgjimeve dhe asgjësimin e tyre.
Referuar procedurave, përgjimet duheshin depozituar deri në fund të hetimeve për të arritur në një konkluzion të qartë nëse shtetasi me emrin “Taulant” kishte lidhje me çështjen për të cilën hetohej.
Asgjësimi i përgjimeve ka pamundësuar që të dhënat e marra me vendim fillestar të gjykatës të shërbenin si prova.