Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të hënën më 19 dhjetor 2022 vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Robert Kote. Vendimi u mor me shumicë votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Shanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa Bungo.
Gjatë seancës dëgjimore më 15 dhjetor, Kote dha shpjegime për balancat negative lidhur me shpenzimet e shkollimit të vajzës në Vjenë të Austrisë, për udhëtimet dhe pushimet jashtë shtetit, si dhe për pamundësinë e blerjes së një makine.
Po ashtu, paraqiti qëndrimin e tij edhe për konstatimet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit ku mes të tjerash u evidentua miqësia e tij me një person me precedentë penalë, për të cilin subjekti pohoi se bëhej fjalë për një prej personave më të pasur në Tiranë, që është përdorues kokaine.
Robert Kote e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989. Ai punon prej më shumë se dy dekadash si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. /Birn