Për të bërë një bilanc për vitin që lamë pas, por edhe shpalosjen e planit të punës për vitin 2023, Kryeministri Rama mblodhi dje krerët e institucioneve në varësi të qeverisë dhe drejtuesit e qarqeve.
Të pranishëm ishin ministra dhe kryetarë bashkish, ndërkohë që takimi më dyer të mbyllura u zhvillua për rreth pesë orë në Vilën 30 në Tiranë, ndërsa mungoi vetëm drejtuesi politik i qarkut Fier, Taulant Balla.
Drejtuesit e qarqeve paraqitën para kreut të PS-së një bilanc të punëve që janë bërë deri më tani, por edhe objektivat e reja. Pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet vendore, ndërsa Partia Socialiste duket se ka nisur edhe punën për 14 majin. Në mbledhjen e djeshme të Ramës me drejtuesit e qarqeve fokusi kryesor ishte aksioni i PS-së për 14 majin. Në këtë takim, kreu i qeverisë, në cilësinë e kryetarit të PS-së, u dha porositë e tij për organizimin politik në terren, maksimalizimin e votës si dhe mbështetje për kandidatët e listës për këshillat bashkiakë.
Panorama raporton se një fokus të madh në mbledhje mori edhe veriu i vendit, pasi drejtuesit e Kukësit, Shkodrës, Tropojës ishin të parët që raportuan për situatën në terren. PS këto zgjedhje vendore kërkon me çdo kusht fitoren në Shkodër, bastioni historik i së djathtës. Për këtë objektiv, PS ka bërë një lëvizje, pasi deputeti i Partisë së Lirisë, Agron Çela do t’i bashkohet PS-së.