Deputeti akuzoi ministrin se është bërë palë me biznesmenët, duke e cilësuar këtë fakt si një problem të madh.
Një përplasje e ashpër ka ndodhur mes dy socialistëve sot në seancën plenare në Kuvend. Deputeti socialist Erion Braçe ka shpërthyer me tone të forta ndaj ministrit të Bujqësisë, Andis Salla.
Braçe i tha se troç është i vetmi ministër i Bujqësisë që nuk e pranon që TVSH-ja ka shkatërruar blegtorinë. Deputeti akuzoi ministrin se është bërë palë me biznesmenët, duke e cilësuar këtë fakt si një problem të madh.
“Je i vetmi ministër Bujqësie që mbledh ata të fabrikave të bëjnë deklaratë kundër deputetëve. Ky është problem shumë i madh”-iu drejtua Braçe ministrit Salla.
Përplasja u tensionua, pasi ministri Salla mbrojti punën e institucioneve në lidhje me analizat laboratorike për një rast të denoncuar më herët, duke akuzuar Braçen se po ngrinte alarme të panevojshme dhe po keqinformonte fermerët.
“Kemi analizat që janë këtu. Nuk mund të keqinformojmë të gjithë fermerët dhe të ngremë alarm”, deklaroi ministri, duke këmbëngulur se institucionet kishin ndjekur procedurat përkatëse dhe kishin kryer analizat e nevojshme.
Braçe i kërkoi ministrit të tërhiqte deklaratat për “alarmet false”. Braçe tha se në disa raste shqetësimet e ngritura prej tij kanë rezultuar të bazuara dhe akuzoi ministrin se nuk po pranon problemet reale të sektorit.
Debati në Kuvend:
Salla: Kemi analizat që janë këtu. Nuk mund të keqinformojmë të gjithë fermerët dhe të ngremë alarm, duke ngritur zërin për një produkt që ne akoma nuk na kishin dalë analizat dhe ju kërkonit përgjigje pa dalë një analizë shtetërore. Marrim mostrat dhe bëjmë analizat në laborator. Në ditët që ka dalë problemi dhe në ditët në vazhdim. S’e mbaj mend datën se s’kam datë këtu. Çfarë po flet? Ja ku i ke analizat. Urdhëro. 29.05, urdhëro datën. Vini këtu, keqinformoni e ngrini alarm për fermerët. Është e disata herë që e bëni. Dhe më vjen keq që ju bëni të tilla skenash. Keqinformoni fermerët për raste që s’janë të nevojshme.
Braçe: Atë historinë e përsëritur të alarmeve false, merre mbrapsht. E di pse do e marrësh mbrapsht? Në njërën nga rastet fola për kafshët shoqëruese, që nuk i mbulon qeveria jote, apo jo? Ekzakt pra, ekzakt. Hiqe njërin nga rastet. Rastin tjetër e ke të provuar. Je i vetmi ministër Bujqësie që nuk e pranon që TVSH-ja, apo sistemi i TVSH-së që ne kemi… S’e kupton pra, prandaj të them. Sistemi i TVSH-së që ne kemi ka groposur blegtorinë. Ti je i vetmi ministër Bujqësie që nuk e pranon këtë. Je i vetmi. Je i vetmi ministër Bujqësie që mbledh ata të fabrikave të bëjnë deklaratë kundër deputetëve. Ky është problem shumë i madh. Mirë mo ministër, si mund të thuash që mund të ketë rënë shi në atë rastin atje? Në këtë vend, shi ka rënë vetëm dje o ministër. Në këtë vend ka thatësirë prej javësh. Dje ka rënë shi. Me çfarë laget një magazinë? Serioziteti i këtyre institucioneve që ju drejtoni, është një problem shumë i madh. Edhe unë me analiza shtetërore. Është i njëjti laborator që brenda tre ditëve jep rezultate të ndryshme.





