Alda Klosi alias “Çiko”, ish-shefja e Kabinetit të Arben Ahmetaj, njëherësh këshilltare pranë Kryeministrit Rama, po hetohet nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës, për një sasi eurosh, dollarësh dhe bizhuteri të shtrenjta që mbante në banesë.
Shuma prej 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë flori, ka krijuar dyshime të forta se rrjedh nga veprime korruptive të zyrtares, që ka shërbyer si shefe kabineti, pranë Ministrisë së Rindërtimit dhe Programit të Reformave.
Alda Çiko, ka qenë pjesë e koordinimit të dhënies së 3 koncesioneve të inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier dhe kjo detyrë ka bërë që ndaj saj të ngrihen mjaft dyshime.
Aktualisht 41-vjeçaria është e punësuar si këshilltare pranë Këshillit të Ministrave, ndërsa prokuroria po e heton atë në gjendje të lirë për të përcaktuar burimin financiar të këtyre të kësaj shume financiare.
“Ora News” mëson se zyrtarja më e besuar e ministrit, Arben Ahmetaj, në 15 dhjetor 2022 ka kallëzuar në policinë e kryeqytetin, vjedhjen e banesës së saj që ndodhet në rrugën e “Kosovarëve”.
Në dëshminë që ajo ka dhënë para oficerëve, ka treguar se ka gjetur mobiliet e apartamentit të saj të prishura, duke krijuar bindjen e një vjedhje të dhunshme.
Më tej Klosi ka rrëfyer dhe dyshimet se cilët mund të ishin njerëzit që mund të kishin vjedhur shtëpinë e saj. Dhe ndër emrat e dyshuar prej saj, ka qenë dhe pastruesja personale e shtëpisë, Rozeta Dobi.
Hetimet e prokurorisë, kanë nisur duke zbuluar se shtëpia e zyrtares ishte vjedhur pikërisht nga pastruesja e saj, Rozeta Dobi dhe djali i kësaj të fundit Havier Dobi.
Nënë e bir, një pjesë të eurove të vjedhura i kanë shpenzuar për blerjen e dy makinave të shtrenjta. Ndërsa jeta luksoze e Havier Dobit ishte tepër e dukshme në rrjetet sociale.
Nga përgjimet e kryera dhe informacionet operative të mbledhura, policia krijoi bindjen se autorë të vjedhjes ishin Rozeta dhe Havier Dobi, ndaj të cilëve është marrë masa e arrestit në flagrancë. Kjo pasi gjatë kontrollit të parë në banesën e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi plot 120 mijë euro.
Por në një kontroll të dytë, të zhvilluar mesditën e sotme, policia gjeti brenda në tubin e aspiratorit të guzhinës, një shumë tjetër prej 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri.
Vendin e fshehjes së shumës financiare mësohet se e ka treguar vetë e arrestuara Rozeta Dobi, e cila ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka bashkëpunuar me policinë kriminale.
Tashmë është prokurorja e çështjes Mirela Çano, e cila do verifikojë burimin e krijimit të kësaj shume, që mbahej në banesën e zyrtares së ministrisë Aldo Klosi.