Masa e sigurisë do të caktohet ditën e nesërme në orën 11:00 për Ardian Çapjan, i cili ndodhet i shtruar në QSUT pas shfaqjes së problemeve shëndetësore.

Gjyqtarët e Elbasanit do të udhëtojnë drejt Tiranës për të caktuar masën e sigurisë për 53-vjeçarin.

Kujtojmë se Ardian Çapja u arrestua dy ditë më parë,  si i dyshuar për vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri në vitin 2012, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij Florenc Çapja. Ndërsa ditën e djeshme ai është shtruar në spital për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër.

Gentian dhe Nezir Beqiri u vranë në banesën e tyre, ndërsa Gentiani ishte në “Arrest shtëpie” dhe ruhej me dy policë,  pasi akuzohej si  autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, ku dyshohet se ai u pagua nga fisi i Çelajve.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha dha një deklaratë të fortë mbrëmjen e djeshme në Open, ku tha se Ervis Bardhi u pagua 50 mijë euro nga Ardian Çapja për të vrarë Gentian Beqirin.

“Realisht shumë ngjarje në Elbasan janë gërvishtur herë pas herë nga prokuroria. Ka qenë shumë e vështirë që të zbardhen këto ngjarje. Për vrasjen e dyfishtë në banesë gjithçka nisi pas gjetjes së gjurmës së gishtit në automjetin e djegur, pas vrasjes së dyfishtë në  banesë. Pas riekspertimit mësohet se i përkiste Ervis Bardhit, i cili tani ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, duke shkuar para drejtësisë duke treguar edhe emrat. Ai fillon e flet për Çapjat e në dëshminë tij ai thotë se ishte paguar nga Ardian Çapja së bashku me Olsi Lekën në shumën 50 mijë euro”, tha Anila Hoxha.

Si ndodhi vrasja e dyfishtë në vitin 2012 në Elbasan:

Mëngjesin e së mërkurës të vitit 2012, disa persona iu drejtuan apartamentit të Beqirit, në lagjen “Sporti i Vjetër”, dhe policëve që qëndronin tek dera iu prezantuan si shokë të Beqirit. Derën e shtëpisë e ka hapur pikërisht i ati i tij, ndërsa ata sapo u futën brenda qëlluan për vdekje me tre plumba në kokë 35-vjeçarin Gentin Beqiraj, teksa flinte në dhomën e gjumit në apartamentin e tij, pasi ishte i paralizuar dhe në arrest shtëpie për një tjetër vepër penale, ndërsa babai i tij u rrah barbarisht me sende të forta dhe u godit me thika, duke iu thyer 6 brinjë dhe plasur hemorragjia në tru dhe në mëlçi. Që nga koha e implikimit dhe e vënies nën akuzë për pjesëmarrje në vrasjen e Çapjes, Gentian Beqiraj kishte ndryshuar edhe identitet dhe njihej si Ardian Metaj. 

Top Channel