Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar për ngjarjen e Tepelenës, ku një mësues u dhunua, pasi akuzohet nga familjarët për abuzim ndaj vajzës së tyre.

Kushi shkruan se mësuesi është pezulluar nga puna deri në përfundim të hetimeve. Gjithashtu ministrja thotë se nëse mësuesiu i fiskulturës Kleanth Laçi, shpallet fajtur për ngacmim seksual ndaj nxënëses së tij do të përjashtohet përgjithmonë nga detyra.

Kujtojmë që sot Kleanth Laçi është arrestuar pasi akuzohet për ngacmim seksual ndaj dy nxënësve të tij.

Postimi i plotë i Kushit:

Kemi ndjekur nga afër ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në Tepelenë, ku një mësues është dhunuar, pasi akuzohet nga familjarët për abuzim ndaj vajzës së tyre. Për mësuesin është marrë masa e ndalimit nga policia dhe Zyra Arsimore Tepelenë ka marrë sot vendimin për pezullimin e mësuesit nga puna deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Nxënëses menjëherë i është ofruar ndihmë nga punonjësit e shërbimit psiko-social dhe gjithashtu drejtoria dhe stafi i shkollës do të vijojnë mbështetjen për vajzën dhe familjen e saj, për ta kapërcyer këtë situatë.

Besojmë fort se organet e drejtësisë do ta zbardhin shumë shpejt të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe do të marrin vendimet e duhura ligjore. Siç e kemi bërë të ditur edhe më parë, qëndrimi ynë për këto raste është i prerë dhe nëse vërtetohet fajësia, krahas dënimit nga organet e drejtësisë, personat përgjegjës përjashtohen përgjithmonë nga sistemi arsimor.

Për këtë arsye, kemi përfshirë një nen të ri në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili do të miratohet së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë. Ne nuk do të lejojmë të punojë në institucionet tona arsimore askënd që cënon shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë.