Duhej të fliste për përgatitjet për zgjedhjet vendore të 14 majit, por pasi ka dalë nga selia rozë, ku u takua me drejtuesit politikë të qarqeve, kryeministri Edi Rama është bombarduar me pyetje nga gazetarët për çështjen më të përfolur në 24 orët e fundit, atë të arrestimit të zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal, me të cilin kishte njohje.
Rama ka hedhur poshtë akuzat, që siç tha ai ngrihen vetëm në këtë pjesë të botës nga politika e gjyslyqeve të zhurmshme, duke thënë se hetimi i McGonigal në SHBA tregoi që nuk ka asnjë lidhje me kryeministrin shqiptar apo me Republikën e Shqipërisë.
Sa i përket parave që McGonigal mori nga ish-agjenti shqiptaro amerikan Agron Neza, Rama tha se “Personi A” është tropojan i lëvizjes demokratike të atyre viteve, si dhe i afërm me Azem Hajdarin dhe fis me Besnik Mustafajn.
Kreu i qeverisë, Rama tha se Nezën e ka takuar vetëm një herë në prani të agjentit të FBI-së i cili sot është në pranga për lidhje me rusët, ndërsa me këtë të fundit është takuar disa herë, përfshi edhe te selia e FBI-së në Nju Jork, ku edhe ka marrë një suvenir që mediat në shqipëri e keqpërkthyen si “paisje përgjimi”.
Pjesë nga deklarata e Ramë:
Besoj që njerëzit normalisht duhet të jenë mësuar që këtu opinioni ndahet në një pjesë që beson me doemos atë që do të besojë, dhe një pjesë tjetër që dëgjon dhe reflekton mbi faktet. Kjo është një çështje e drejtuar nga drejtësia amerikane. Kështu që në rastin konkret ka zero akuzë dhe zero lidhje mes çështjes që diskutohet dhe mes meje apo Republikës së Shqipërisë. Zero.
Këto janë derivate të keqleximit të këtushëm. Përmendja e emrit si pjesë në një takim apo në një tjetër, nuk ka asnjë lidhje me përfundimet që ka nxjerrë hetimi në SHBA. Takova një zyrtar të lartë të FBI-së, po e takova, Disa herë. Kjo nuk përbën asnjë arsye për të nxjerrë konkluzione të reja, duke parë nga Tirana me qyslyqet e politikës së zhurmshme, aqmëtepër kur jemi pranë 21 Janarit për të hapur hetimin në Prokurorinë e Posaçme. Dhe kush do të kuptojë e kupton. Unë dhe Qeveria e Shqipërisë nuk kam asnjë lidhje me përfundimin e hetimit, për një çështje dytësore të dalë rrugës. Përfundimet e hetimit, ku hetuesit amerikanë kanë dorëzuar dosjet e tyre, nuk ka asgjë nga këto që thoni ju. Aty thuhet se çfarë thotë njëri apo tjetri. Hetimi është për mosdeklarim dhe konflikt interesi në raport me shokun e tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja të cilin unë e kam njohur dhe takuar nga ai.
Fola për zotin Agron, i cili vjen nga lëvizja Demokratike, shumë i afërt me Azem Hajdarin, fis me Besnik Mustafain, me të cilin nuk kam shkëmbyer as letra, por e kam takuar vetëm në prezencën e zyrtarit të FBI-së. Sa i përket tjetrit ka qenë ministër, dhe ka punuar vetëm fare pak kohë me mua.
Të gjithë i gjëmojnë lajmeve sensacionaleve, pa marrë parasysh janë apo jo të vërteta. Fjala mik është një fjalë shumë e madhe. Unë kam folur në gjuhën angleze për natyrën e marrëdhënies, duke thënë një “friendly relation”. E kam takuar në zyrën më të rëndësishme të FBI-së, ku më pa prezantuar edhe kolegë të tjerë. Ku më ka dhënë edhe dhurata, nga ato që në big-brotherin politik u paraqitën si paisje përgjimi. Krejtësish pa asnjë marrëdhënie tjetër. Unë nuk lajmëroj ambasadat amerikane kur takoj amerikanët. Kam takuar një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së dhe çdo zyrtar të lartë të FBI-së do e takoja sërish sa herë të doja. Ne jetojmë në një zonë të botës ku njerëzit merren kë takove, si takove. Por nuk thonë çfarë fole. Nuk ju vë faj juve, sepse ju jeni pjesë e ndërmarrjeve që përfaqësoni. Në akt padinë e drejtësisë amerikane nuk ka asnjë gjë që lidhet me mua, u takua këtu apo atje.