Banorët e fshatit Lumas në Berat pas shumë protestash dhe përpjekjesh të tjera për të mbrojtur burimet ujore të Sinecit nga privatizimi, kanë marrë përgjigje negative në Gjykatën e Vlorës ditën e sotme.

Gjykata ka rrëzuar sot padinë që këta banorë kishin ngritur lidhur me privatizimin e burimit ujor në fshatin e tyre.

Pas këtij vendimi banorët shprehen shumë të zhgënjyer me sistemin e drejtësisë duke thënë se Gjykata është bërë palë me oligarket dhe ligji nuk funksionon. Gjithashtu ata shprehen se do të largohen nga Shqipëria duke i bërë thirrje dhe të rinjve që të ikin sapo të gjejnë mundësinë.

“Populli po ngrihet të mbrojë zonën e mbrojtur, populli është në mbështetje të ligjit. Shteti me mafiozët dhe oligarkët po e shkatërron këtë zonë. Këtu nuk punohet për t’i çuar ujë popullit, ai do të merret për tu futur në shishe nga biznesmenët të mbështetur nga kryministri, ministra e deputetë të qeverisë tonë. Ne do ta mbrojmë si e bëmë në vitin 93. Populli është ngritur dhe do të ngrihet përsëri. Nëse nuk qërohet Edi Rama nuk ka shtet, ky vendim nuk është i bazuar në asnjë ligj. Ky është vend i mbrojtur nuk lejohet ndërhyrja“, thotë një banor i zonës.

“Jam shumë i prekur nga vendimi Gjykatës, kemi luftuar me mish e me shpirt ta mbrojmë atë zonë se është jeta jonë, kemi ardhur dhe 4 herë në muaj nga Berati në Vlorë me lekët nga pensioni jonë. Kemi të bëjmë me një shtet kriminelash, shtet që është i gjithi i korruptuar. Projekti që zhvillohet te ne nga 1 miliardë lek shkoi 7 miliardë dhe me shtesa do shkojë 8. Ne atë e kemi vend familjar, turistik, arkeologjik, i kemi të gjitha. I kemi kërkuar dorëheqjen gjyqtares, kjo ka hedhur djalin tim në gjyq sepse mbroj pronën time. Ky është vendim mafioz. Unë i kam hequr shpresat, i bëj thirrje rinisë të iki një orë e më para nga ky vend se është mallkuar për ne. Unë do iki, do shkoj te vajza në Itali”, shprehet një prej banorëve.

“Përderisa nuk funksionon demokracia nuk ka drejtësi. Këto janë të lidhura të dyja, drejtësia sot është përdhosur dhe ka shkuar në fazën më të fundit në Shqipëri. Ne do të ngujohemi por me dhunën e policisë nuk kemi çfarë të bëjmë. Gazetarët na mbrojnë dhe na qendrojnë afër, gjejmë rastin t’ju falenderojmë”, ka thënë një tjetër banor.