Një shqiptar, tregtar droge shqiptar i burgosur në Britani po përdor ligjin europian për të shmnagur dëbimin nga vendi. Eldjort Ajazi ka vepruar si korrier për shpërndarjen e drogës, i cili mendohet të ketë fituar deri në 450,000 paund përpara se të kapej nga policia, sipas mediave britanike.
Tani 35 vjeç, Ajazi mbërriti në Britaninë e Madhe në vitin 2006 dhe qëndroi në vend ilegalisht deri në arrestimin e tij në vitin 2020.
Ai u deklarua fajtor dhe u dënua me 45 muaj burg në shkurt 2021. Por ish-punëtori i ndërtimit tani po apelon kundër një urdhri që do ta detyronte të kthehej në Shqipëri
Rasti i tij mbështetet në ‘të drejtën e diskutueshme për respektimin e jetës familjare’ – siç përcaktohet në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Kjo përfshin të drejtat e prindërve për të pasur kontakt me fëmijët e tyre, raporton abcnews.al.
Kryeministri Rishi Sunak thuhet se po shqyrton tërheqjen e Britanisë së Madhe nga KEDNJ për ta bërë më të lehtë deportimin e emigrantëve. Dje, një gjykatë që shqyrton ankesat ndaj vendimeve të Home Office, u tha se Ajazi ka një djalë dy vjeç, i cili ka lindur në kohën kur ai ishte në burg.
Angela Sharma, që përfaqëson Ajazin, i tha gjykatës së nivelit të parë se klienti i saj pranoi se ai ishte përfshirë në një ‘krim të rëndë në MB’ dhe se ishte ‘i penduar për këtë’.
Por ajo argumentoi se do të ishte ‘tepër e ashpër’ të ndahej Ajazi nga djali i tij dhe Zelihe Vehapaj, 22 vjeç, nëna e djalit dhe partnerja e Ajazit. Vehapaj, vetë një shtetase shqiptare, jeton me djalin e tyre në Londër, ndërsa Ajazi jeton me vëllain e tij në Norëich.
Ajazi, i cili tha se e viziton djalin dhe partnerin e tij katër herë në javë, beson se jeta e tij mund të rrezikohet në Shqipëri për shkak të një borxhi prej 26,000 paund që ai fitoi.
Megjithatë, një kërkesë për azil në bazë të këtyre kërkesave u refuzua vitin e kaluar dhe Ajazi ende nuk ka paraqitur ankesë.
Një përfaqësues i Home Office argumentoi që dëbimi të zbatohej për shkak të përfshirjes së tij në një ‘krim veçanërisht të rëndë’ dhe mungesës së provave për përkushtimin e Ajazit ndaj familjes së tij.
Vendimi pritet të merret në javët në vijim.
/abcnews.al