Shtetet e Bashkuara kanë premtuar mbi 85 milionë dollarë në ndihma humanitare për Turqinë dhe Sirinë pas një tërmeti masiv në rajon që ka shkaktuar vdekjen e mbi 25 mijë personave. Siç njofton korrespondentja e Zërit e Amerikës, Cindy Saine, fondet do të jepen nga USAID-i për strehim, ushqime, ujë, veshje dhe kujdes shëndetësor.
Filmimet e Zërit të Amerikës me dron tregojnë përmasat e shkatërrimit nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Ekipet e emergjencave vazhdojnë ndërkaq kërkimet. Zëri i Amerikës filmoi momentet ndërsa ekipet shpëtuan të enjten një djalë 11-vjeçar dhe tre persona të tjerë në qytetin Hatay, pranë kufirit sirian.
Shtetet e Bashkuara po shtojnë operacionet e ndihmave. USAID-i ka premtuar mbi 85 milionë dollarë ndihma, pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli me homologun e tij turk për t’u informuar për nevojat e vendit.
“Do t’ia lë ministrit të jashtëm dhe aleatëve tanë turq që të flasin për nevojat e tyre, por ministri i jashtëm i ofroi disa hollësi Sekretarit Blinken. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të plotësuar nevojat që pala turke na ka paraqitur”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Ai konfirmoi se ekipet në terren janë në një fazë akute të operacioneve të kërkim-shpëtimit. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar dy ekipe të specializuara për operacionet e kërkim-shpëtimit në zona urbane, shpjegoi të premten nga Shtëpia e Bardhë koordinatori për komunikimet i Këshillit të Sigurisë së Kombëtare.
“Këto ekipe kanë rreth 200 anëtarë, me paisje të specializuara dhe qen kërkimi. Ata kanë arritur të zgjerojnë gamën operacionale me mbështetjen e helikopterëve Blackhawk të ushtrisë amerikane”, tha zoti Kirby.
Ai konfirmoi se Pentagoni po afron pranë Turqisë një aeroplanmbajtëse që gjendej e dislokuar në Detin Mesdhe, për të ndihmuar sipas nevojave të Ankarasë.
“Po punojmë nga afër me homologët turq për t’u siguruar që po japim çfarë iu nevojitet në përmasat dhe me shpejtësinë që iu duhet. Nuk duam të mbingarkojmë sistemin e tyre me materiale të panevojshme dhe kapacitete të panevojshme”, tha zoti Kirby.
Të premten, një autokolonë ndihmash e OKB-së kaloi nga Turqia në Siri, duke sjellë kështu dërgesat e dyta me ndihma në territorin e mbajtur nga rebelët. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje qeverisë siriane t’i lejojë OKB-së qasje humanitare tek të mbijetuarit dhe po kërkon garantimin e sigurisë për dërgimin e më shumë ndihmave humanitare nga Turqia drejt Sirisë.