Gjatë një interviste për CNN, kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat të drejtpërdrejtë me gazetaren Eleni Giokos, pasi u pyet mbi protestat e fundit kundër qeverisë në Shqipëri dhe në diasporë, si dhe mbi kundërshtitë që kanë shoqëruar projektin e zhvillimit në zonën e Zvërnecit.

Përplasja verbale nisi kur gazetarja ngriti shqetësimet lidhur me ndikimin mjedisor të projektit, qëndrimin e Komisionit Europian dhe reagimet e organizatave mjedisore. Në përgjigje, Rama mbrojti fort nismën, duke kritikuar edhe mënyrën se si çështja është pasqyruar në mediat ndërkombëtare.

“Dëgjo, mos shko aty, sepse më kujton që je nga CNN dhe më vjen keq ta them, por e kam mësuar në mënyrën e vështirë se ju nuk jeni gjithmonë një burim objektiv”, u shpreh kryeministri gjatë intervistës, duke rritur tonet e debatit.

Ai theksoi se toka ku parashikohet zhvillimi i projektit është pronë private, se procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis janë në proces dhe se deri tani nuk është miratuar asnjë leje ndërtimi. Sipas tij, nuk ka arsye për alarm nga ana e ambientalistëve dhe projekti do të sjellë zhvillim për zonën.

I pyetur sërish për protestat, Rama i hodhi poshtë pretendimet për një pakënaqësi të gjerë qytetare, duke deklaruar se mbështetja është dominuese.

“Kam një lajm për ju: shumica e popullit shqiptar e mbështet projektin. Zona ku do të zhvillohet e pret me padurim. Nuk ka protesta, dhe komuniteti e dëshiron këtë zhvillim”, tha ai gjatë intervistës.

GEAM Sh.p.k