Erik Fullani, djali i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani është ndaluar nga Policia e Tiranës këtë paradite. Në njoftim bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut, rreth orës 10:45. Ai ka qenë duke qarkulluar me një automjet me xhama të zinj dhe i është vendosur një gjobë me vlerë 20 mijë lekësh për errësimin e tyre.
Në njoftim bëhet me dije se 29-vjeçarit i është gjetur dhe një armë zjarri, por pas verifikimeve ka rezultuar se Fullani e kishte me leje nga firma ku ai punon si bodyguard, sipas procedurave përkatëse.
Njoftimi i Policisë:
Sqarim i DVP Tiranë
Në lidhje me një lajm të publikuar në portale, sipas të cilit pretendohet se në zonën e ish-Bllokut, është kapur me armë zjarri pistoletë, shtetasi E. F., ju sqarojmë se:
Ditën e sotme, rreth orës 10:45, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, në zonën e ish-Bllokut, automjetin me xhama të errësuar, me drejtues shtetasin E. F., 29 vjeç. Këtij shtetasi i është vendosur masa administrative 20 000 lekë të rinj, për xhamat e errësuar të automjetit.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë 29-vjeçarit dhe për këtë arsye ai është shoqëruar në Komisariat, për verifikime të mëtejshme.
Pas verifikimeve ka rezultuar se arma që ai mbante ishte me leje dhe në vijim të veprimeve u bë njoftimi dhe dorëzimi i armës te drejtuesi teknik i firmës, ku ai punon (bodyguard), sipas procedurave përkatëse.