Jetmir Pepa, i shpallur në kërkim nga SPAK, raportohet se është arrestuar në Dubai, ndërsa pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK.
Sipas SPAK, Pepa dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal të goditur gjatë një operacioni të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë nxjerrë në pah dyshime se organizata kriminale ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt vendeve të ndryshme të Europës.
Autoritetet dyshojnë se fitimet e përfituara nga aktiviteti kriminal janë investuar më pas në sektorë të ndryshëm në Shqipëri, me synimin për të pastruar paratë dhe për të fshehur origjinën e tyre.
Arrestimi i Pepës u bë i mundur falë bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë pritet të nisin në ditët në vijim.
Operacioni konsiderohet një tjetër goditje e SPAK ndaj rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemave të pastrimit të parave që dyshohet se operojnë prej vitesh në rajon.






