Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës, se përmendet 14 herë në aktakuzën ndaj ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal në SHBA.

Rama ka vendosur që nga foltorja e Kuvendit të lexojë të 14 herët kur emri i tij përmendet, duke thënë se në të gjitha rastet janë të vërteta ato që thuhen, si takimet e tij me McGonigal, por në asnjë rast nuk flitet për krim apo kompromentim.

Kreu i qeverisë, ironizoi opozitën duke thënë se e shohin SHBA-në si një “byrektore”, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha ka shpallur “revolucion për të shpëtuar Amerikën”.

Pjesë nga fjala e Ramës në Kuvend:

Përsëritet ditë-natë fjalia se kryeministri është përmendur 14 herë, por aktakuza vetë çfarë thotë në këto 14 herë? Hera e parë, “personi B” operonte si këshilltar i kryeministrit. E vërtetë, Dorian Duçka ishte këshilltar i jashtëm i imi. Po krimi dhe kompromentimi ku janë?

Hera e dytë, ku është krimi apo kompromentimi në këtë fakt. Hera e tretë, “McGonigal i kërkoi Ramës të kishte kujdes ndaj investimeve ruse”, shumë e vërtetë dhe ky është fakt, ish-shefi i inteligjencës më ka thënë që të ishim të kujdesshëm lidhur me shoqëritë ruse që mund të hyjnë në sektorin e naftës, shumë e vërtetë, por ku është krimi apo kompromentimi këtu? Çfarë krimi apo kompromentimi mund të konsiderohet fakti i shkëmbimit rëndomë të dhuratave, kur shkova në Nju Jork, më dhuruan një kapele të FBI-së, e kam edhe sot në zyrë.

Edhe pika pesë shumë e vërtetë, pas takimit të shtatorit kam patur një marrëdhënie me shefin e kundërinteligjencës të FBI-së. Ku është krimi apo kompromentimi?

Hera e gjashtë, “u takua me Ramën”, po e vërtetë, ai është takuar me mua në Shqipëri. Pyetja, ku është kompromentimi apo krimi këtu? Hera e shtatë “në nëntor, McGonigal u takua me Edi Ramën në Shqipëri”, shumë e vërtetë dhe shumë e saktë. Ku është fakti i krimit dhe kompromentimit këtu? Hera e tetë “në nëntor 25, 2017, McGonigal informoi”… dhe vazhdon dhe del te fakti se një qytetar amerikan, i angazhuar për të lobuar për një parti. E vërteta është se shefi i FBI-së nuk ma ka thënë kurrë dhe as ia kam kërkuar një gjë të tillë. Por sidoqoftë pyetja që shtrohet mbetet ajo, ku është krimi apo kompromentimi këtu?

Të mendosh që këta kanë qeverisur Shqipërinë, shikoni se si e shohin botën. Po si mundet njeriu të imagjinojë superfuqinë e botës, SHBA, si një byrektore, ku mund të hyje dhe të vulojse hipoteka false, të merrje leje për zaptime pronash apo të bëje shokë për të rrahur njerëz rrugëve, që pengonin hovin e kapitalizmit. Se kur vjen nga Lana, të zezat e tua janë të zezat e të gjithëve. Jo vetëm duke mos pasur pikën e respektit për ata që dëgjojnë, por si litar në qafën e tyre, si i mbyturi që të mbyt, kërkon të bëjë revolucion për të shpëtuar Amerikën. Keni dy muaj që më kërkoni, ku je ku je, pse nuk del.