Një sërë zhvillimesh pritet të ndodhin ditën e sotme në vendin tonë. Sot, Gjykata e Apelit pritet që të vendosë mbi vulën e Partisë Demokratike nëse do të jetë në duart e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, apo në duart e ish-kryeminisitrit Sali Berisha.
Gjykata do të vendosë mbi ankimimin e Alibeajt ku kërkohet rrëzimi i vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e kuvendit 18 dhjetorit si legjitim.
Gjithashtu, mesditën e sotme në orën 12:00, është paralajmëruar protesta e radhës nga opozita ku do të kërkojnë rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, rrugët kryesore të Tiranës do të jenë ditën e sotme të bllokuara për disa orë, bëri me dije Policia e Tiranës, për shkak të tubimit që ka thirrur Partia Demokratike.
Qytetarëve u kërkohet mirëkuptim dhe të shmangin lëvizjet në këto segmente:
Duke filluar nga ora 06:00 e datës 03.03.2023, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 03.03.2023 deri në përfundim të tubimit. Protesta do të nisë në orën 12.00 dhe nuk ka një orar për përfundimin e saj.