Nuk ka asnjë dyshim se ajo që Endrit Shabani e quan partia politike që do shpëtojë Shqipërinë dhe shqiptarët, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë financime nga ente të huaja.
Neni 21 i ligjit për partitë politike, ndalon financimin e subjekteve politike nga ente, organizata apo qeveri të huaja.
Njëjtë si në debatin dhe akuzat e përbotshme për financimin rus të Lulzim Bashës, Endrit Shabani ka bërë të njëjtën shkelje sa i takon burimit nga të huaj, të fondeve që ushqejnë veprimtarinë e partiçkës së vet.
Fshehja pas donatorëve si Conrad Adenhauer apo Friederich Ebert, në gjuhën e sponsorëve të Shabanit konsiderohet “bullshit”.
Ato fondacione janë ofruar me financime për nisma ligjore të Kuvendit, duke paguar ekspertët që hartojnë draftet dhe duke paguar ekspertë të huaj që asistojnë në draftim.
Asnjëherë fondacionet, emrat e të cilëve Shabani i përdor me qëllimin për t’u fshehur, nuk kanë financuar as PS, as PD.about:blank

Ndryshe ato financime do të duhej të ishin në llogaritë që PS dhe PD duhet të publikonin dhe depozitonin në KQZ.
Nuk janë! Sepse asnjë qindarkë e atyre donatorëve nuk ka shkuar në xhepin e partive politike shqiptare.
Endrit Shabani duhet të publikojë, të hartojë, të nënshkruajë dhe të depozitojë në KQZ raportime periodike për mënyrë dhe sasinë e financimit të partiçkës së vet.
Ndalimi që parashikon neni 21 i ligjit të partive politike, nuk ka lidhje me periudha zgjedhore. Ka lidhje me FINANCIMIN E PARTIVE POLITIKE dhe parashikon ndalimet përkatëse.

Nuk ka nevojë për ndonjë hetim as administrativ e as penal në këtë rast. Fakti është deklaruar nga vetë Shabani, me krenari prej injoranti që beson se shqiptarët mezi presin që t’i udhëheqë delenxhiu i radhës.
Partitë politike nuk janë si Nisma, partiçkë e Shabanit, pronarët e të cilave kujtohen se i zotërojnë dhe ekzistojnë vetëm kur ka fushatë.
Partia politike është organizëm që funksionon gjatë gjithë vitit si subjekt politik. Në zgjedhje mund të regjistrohet pastaj si subjekt zgjedhor.
Endrit Shabani bëri mirë që u regjistrua në këto zgjedhje. Pa atë regjistrim do t’i kishte shpëtuar kontrollit për financimin e paligjshëm që merrka me sa duhet rregullisht.
Nuk është faji as i PS-së as i PD-së, që Nisma-Thurje, gjithë vitin jeton si OJF dhe herë pas here kur ka zgjedhje, Endrit Shabanit i duket vetja si politikani që do shpëtojë Shqipërinë.
Ndërkohë kjo partiçka politike e Shabanit që gjithë vitin financohet si OJF nga subjekte që ligji i ndalon të financojnë parti politike, nuk dëgjohet as të bëjë mbledhje organesh drejtuese, as vendime organesh drejtuese, as gara brenda vetes, as zgjedhje. Gjithë vitin aplikon për financime të huaja.
Endri Shabani beson se partiçka qenka Akademi dhe kështu mund të financohet nga t’i dojë qejfi!

Kreu III i ligjit për partitë politike, ku bën pjesë, neni 21, nuk flet për financimin gjatë fushatave. Flet për mjetet financiare dhe materiale të partive.
Neni 15 i të njëjtit ligj, shpjegon se dispozitat e kreut rregullojnë financimin e partive politike, që nuk rregullohen nga Kodi Zgjedhor.

Endrit Shabani meqë herë pas here i duket vetja si lider politik, bën mirë që përveç ligjit të OJF-së, të lexojë dhe ligjin e partive politike, nëse Nisma e vet është politike.
Nëse Nisma është OJF, atëherë zoti Shabani ka ngatërruar garën.
Gara Zgjedhore bëhet për partitë politike.
Dhe partitë politike nuk mund të financohen as nga ambasada ruse, as nga ajo holandeze e as nga ambasada angleze.
Ligji i ndalon të gjithë të huajt njësoj.
Friederich Ebert që Shabani e paska merak, (sepse si duket nuk e paska financuar ndonjëherë) mund të ketë financuar seminare për grupe deputetësh. Grupi i deputetëve, nuk është parti politike. Është Kuvend. Por, këto Endrit Shabani nuk i gjen dot te ligji i OJF-ve.
P.sh. britanikët financojnë dhe kanë financuar ekspertët e caktuar nga partitë politike si dhe asistentët e huaj që kanë punuar për hartimin e rregullave të raportimit dhe aktet nënligjore të financimit të partive politike.
Tema është debat ende i hapur jo vetëm në KQZ.
Sipas rregullave që janë shkruar nga ekspertët e financuar nga britanikët, partitë politike janë të detyruara p.sh. që 6 muaj para fushatës të raportojnë çdo dhurim në KQZ.
Të njëjtët anglezë që Endrit Shabani duket se po i fut në telashe reputacioni me financimet që i kanë dhënë, të cilat në rastin më të mirë (për financuesit), është Shabani që i ka kanalizuar atje ku nuk duhet të përdoreshin.
Si fillim Shabani duhet t’i ketë llafet dhe të dorëzojë ca letra në KQZ.
Kurse anglezët mesa duket duhet të rishikojnë se ku po i hedhin lekët./CNA.al