Një tifoz futbolli, i cili u bë i famshëm në momentin kur grushtoi yllin e Anglisë, në atë kohë pjesë e Aston Villas, Jack Grealish, është gjetur vdekur. Tifozi i Birmingham Cityt, Paul Mitchell pati hyrë në fushë dhe sulmoi fizikisht në mars të vitit 2019 Grealishin në stadiumin “St Andrew’s” përpara se të tërhiqej zvarrë nga fusha.
32-vjeçari u burgos me 14 javë për gjestin e bërë, por u lirua pas vetëm katër javësh dënim në atë kohë. Tashmë bëhet me dije se ai është gjetur i vdekur në një pronë në Birmingham në fillim të kësaj jave. Lajmin e bën me dije prestigjiozja angleze “The Sun”.
“Paul absolutisht i adhuronte tre fëmijët e tij. Ai gjithmonë kishte një buzëqeshje në fytyrën e tij, pavarësisht se çfarë ndodhte. Ai kishte zemrën më të mirë. Fatkeqësisht, ai do t’i mungojë shumë njerëzve. Ai ishte një njeri shumë popullor. Nuk do të jetë më njësoj pa të këtu”, shtoi më tej kushërira e viktimës, Lucy Mitchell.
Paul Mitchell qe dërguar përsëri në burg në shtator të vitit të kaluar, duke u dënuar me 12 javë për shkak se shkeli vendimin e pezullimit prej 10 vitesh për të hyrë në stadium. Gjithsesi, ai ndoqi ndeshjen mes Birmingham dhe West Bromwich Albion, teksa nuk hezitoi të hynte në fushë në momentin kur skuadra e tij shënoi.