Ekonomia shqiptare ka pasur ecuri më të mirë sesa pritej në vitin 2020, por rimëkëmbja vlerësohet që të jetë më e ngadaltë sesa pritej këtë vit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar sot “Pasqyrën Ekonomike Globale 2021”. Sipas tabelave të raportit, rënia ekonomike për vitin 2020 vlerësohet në -3.5%, në nivele të ngjashme me vlerësimet zyrtare të INSTAT, prej -3.31%.
Në krahasim me pritshmëritë e raportit të prillit dhe tetorit 2020 prej -7.5%, rënia është shumë më e moderuara.
Ndërsa për vitin 2021, FMN e ka rishikuar në ulje pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit në +5%, nga +6.1% që ishte në vlerësimin e tetorit. Në vitin 2022 vendi pritet të rritet me 4%, për tu ngadalësuar më pas në 3.5%
Në rajon, Shqipëria ka rënien më të ulët pas Serbisë (-1%). Shteti ballkanik më i goditur nga pandemia në 2020-n ishte Mali i Zi, me -15.2%, duke pasur ecurinë më negative nga gjithë Europa në Zhvillim. Maqedonia Veriut u tkurr me -4.5%, Kosova me -6%, Bosnjë Hercegovina me -5.5%.
Një tjetër shtet me varësi të lartë nga turizmi, Kroacia, u tkurr me -9%, sipas tabelave të FMN-së. Shteti i vetëm me rritje në Europën në zhvillim është Turqia, me +1.8%.
FMN përmirëson parashikimin për ekonominë globale
Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej –3.3 për qind në 2020, ekonomia globale parashikohet të rritet me 6 për qind në 2021, duke u moderuar në 4.4 për qind në 2022. Tkurrja për vitin 2020 është 1.1 pikë përqindje më e vogël se sa parashikohej në tetor në Parashikimi Ekonomik Global(ËEO), duke pasqyruar kështu rezultatet e rritjes, më të larta se sa pritej në gjysmën e dytë të vitit, për shumicën e rajoneve, pas lehtësimit të bllokimeve dhe pasi ekonomitë u adaptuan në mënyra të reja të të punuarit.
Parashikimet për 2021 dhe 2022 janë 0.8 pikë përqindje dhe 0.2 pikë përqindje më të larta se në raportin e Tetorit 2020, duke reflektuar mbështetje shtesë fiskale në disa ekonomi të mëdha dhe rimëkëmbjen e parashikuar nga vaksinat në gjysmën e dytë të vitit.
Rritja globale pritet të arrijë në 3.3 për qind për një periudhë afatmesme – duke reflektuar dëmtimet në zinxhirin e furnizimit, rritjen e ngadaltë të forcës së punës, si rrjedhojë e plakjes në ekonomitë e zhvilluara dhe disa ekonomi të tregut në zhvillim.
Falë përgjigjes së pashembullt të politikës, recesioni COVID-19 ka të ngjarë të lërë plagë më të vogla se sa kriza financiare globale e vitit 2008. Sidoqoftë, ekonomitë e tregjeve në zhvillim dhe vendet në zhvillim me të ardhura të ulëta janë goditur më rëndë dhe pritet të pësojnë humbje më të konsiderueshme afatmesme.
Sipas raportit të FMN-së, një vit pas pandemisë COVID-19, humbja e jetëve njerëzore vazhdon të jetë shqetësim, edhe pse është rritur mbulimi me vaksina. Pasiguria e lartë rrethon perspektivën ekonomike globale, si rrjedhojë e paqartësive për rrugën që do ndërmarrë pandemia. Tkurrja e aktivitetit në vitin 2020 ishte e pashembullt, për historinë e njerëzimit, duke pasur parasysh shpejtësinë e rënies dhe natyrën e saj të sinkronizuar.
Por mund të kishte qenë shumë më keq. Megjithëse është e vështirë të përcaktohet saktësisht, vlerësimet e stafit të FMN-së sugjerojnë që tkurrja mund të kishte qenë tre herë më e madhe, nëse s’do të ishin zbatuar politikat e mbështetjes së jashtëzakonshme të politikave. Mbetet shumë për të bërë për të mposhtur pandeminë dhe për të shmangur divergjencën në të ardhurat për frymë në ekonomi dhe rritjen e vazhdueshme të pabarazisë, brenda vendeve./monitor