Bashkimi Evropian bëri të ditur të enjten, më 13 prill, se grupi mercenar rus Wagner është futur në listën evropiane të sanksioneve për “pjesëmarrje aktive në luftën e agresionit rus kundër Ukrainës”.Wagner, që po udhëheq betejat ruse në përpjekjet për t’i pushtuar qytetet ukrainase Bahmut dhe Soledar, ishte vendosur në shkurt në një listë tjetër sanksionesh të BE-së për shkelje të të drejtave të njeriut dhe “destabilizimin” e vendeve në Afrikë.

Këshilli Evropian, që përfaqëson 27 vendet anëtare të BE-së, tha se lista e sanksioneve të reja e “kompleton” atë të mëparshmen.

BE-ja shtoi se Wagner u shtua edhe një herë në listë “për veprime që minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.

Fakti që Wagner është listuar dy herë “nënvizon dimensionin ndërkombëtar dhe peshën e aktiviteteve të këtij grupi, si dhe ndikimin e tij destabilizues në vendet ku ai është aktiv”, thuhet në deklaratën e Këshillit.

Në listën evropiane të sanksioneve u shtua edhe RIA FAN, një media ruse që është pjesë e grupit Patriot Media Group, bordi i së cilës drejtohet nga Yevgeny Prigozhin, shefi i Wagnerit.

Një organizatë joqeveritare ruse dhe një dezertor i Wagnerit kanë pretenduar se luftëtarët e Wagnerit ishin përgjegjës për incidentin e prerjes së kokës të një të burgosuri lufte ukrainas që duket në një video që ka tërhequr vëmendjen e Ukrainës dhe zyrtarëve të OKB-së.

Prigozhin i mohoi akuzat të enjten. Rusia tha se ka hapur një hetim lidhur me këto pamje.

BE-ja ka miratuar dhjetë pako të njëpasnjëshme sanksionesh kundër Rusisë gjatë vitit të kaluar pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Top Channel