Ish-Presidenti Ilir Meta është përplasur verbalisht me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi gjatë seancës gjyqësore të mbajtur sot.

Meta tha se nuk ka dijeni për veprimet e Kryemadhit, duke shtuar se ajo e di vetë historinë e mesazheve.

Ndërsa Kryemadhi është kundërpërgjigjur duke i thënë se nuk duhet të flasë bazë thashethemesh e llafesh grash, apo fjalët që i sjell Dumani.

Përplasja në sallën e gjyqit:
 
Meta: Nuk ekziston asnjë lloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi.”
 
Në këtë moment, Monika Kryemadhi i përgjigjet: “Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”
 
Pasi gjykata i tërheq vëmendje, Kryemadhi thotë: “Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”
 
Duke iu referuar deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, që ndodhet në sallë.
Gjykata: Do ju nxjerr nga salla e gjyqit. Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni, do largoheni nga seanca dhe do gjobiteni.

Këtë të mërkurë, 24 qershor, në GJKKO është duke u zhvilluar seanca ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, ku dy janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Gjatë seancës avokati i Monika Kryemadhit nuk ka hyrë ende në sallë. Redi Llanaj, ashtu si në seancën e shkuar nuk lejohet të hyjë pasi nuk pranon t’i kontrollohet çanta nga punonjësit e sigurisë.

Esmeralda Rama, do jetë përfaqësuese ligjore e Monika Kryemadhit në seancën e kësaj të mërkure, pasi sërish Redi Llanaj pati probleme në skanimin e sendeve të tij personale.

Ndërkohë avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani kundërshton akuzat e ngritura nga SPAK.

“Kallëzimi penal i parë nuk ishte për zotin Meta, ishte për Sali Berishën dhe kabinetin e tij për koncesionin, jo individualisht. Më pas çuditërisht u kallëzua edhe Meta nga Romeo Kara. CEZ DIA është një ndërmarrje shtetërore. DIA është një kompani amerikane.  Meta nuk është përmendur kurrë. Akuza është bërë për të goditur Metën. Në 15 faqe përmblidhet çështja e shekullit, pastaj faqet e tjera janë për t’u mbushur. Kjo është luftë politike.

Dhe luftën politike, nuk mund ta materializosh me akuzë, sidomos për një akuzë të rëndë për korrupsion. Në 2009, kur është shkruar mesazhi që pretendon akuza ‘Deri nesër më duhen 200 mijë’, nuk ekziston në dosje, dhe asokohe Meta nuk ishte funksionar publik, ishte deputet opozitar. Ku është subjekti i posaçëm që akuzohet për korrupsion pasiv? Meta ishte një deputet i thjeshtë që vinte vërdallë aty… si këta sot. Nuk ishte ministër apo zyrtar i lartë. CEZ DIA është një statistikë, një episod për të dënuar Meta. Dhe këto janë përpiluar në akuzë”, tha Cakrani.

Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht të vitit të shkuar, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Më herët, me anë të një letre dërguar kreut të SPAK, Klodian Braho, ai ka kërkuar publikimin e kontratës së lobimit të LSI-së në SHBA, duke pretenduar se mbajtja sekret e dokumenteve po i pamundëson mbrojtjen në gjykatë.

Ish-Presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi është nën masën e “detyrim për paraqitje”.

Dosja e tij dhe Kryemadhit është ndarë në dy pjesë. Për Metën e Kryemadhin gjykimi do vijoj më vete me procedurë të zakonshme, ndërsa është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar nga Pirro Xhixho, Ema Çoku e Fatime Kryemadhi.

GEAM Sh.p.k