Kompania Twitter ka hequr etiketimet që i cilësonin llogaritë e disa organizatave globale mediatike në këtë rrjet social, si “të financuara nga qeveria” ose “të lidhura me shtetin”.
Veprimi vjen pasi platforma e pronarit Elon Musk filloi t’u hiqte simbolin blu në krah të emrit të profilit, atyre që nuk bëjnë pagesë mujore ndaj Twitter-it.
Simboli blu (që në fakt është një shenjë e bardhë në një fushë blu) shërbente për të treguar se llogaria ishte verifikuar nga Twitter.
Mes mediave të cilave u është hequr etiketimi është edhe Radio Kombëtare Publike në Shtetet e Bashkura, që njoftoi javën e kaluar se do të ndërpriste përdorimin e Twitter-it pasi llogaria kryesore e saj u etiketua si media shtetërore, një term që përdoret për të identifikuar rrjetet mediatike që kontrollohen ose ndikohen fuqishëm nga qeveritë autoritare, si Rusia apo Kina.
Të enjten, shumë përdorues të profilit të lartë të Twitterit humbën simbolin blu në krah të llogarisë të tyre, që shërbente për të treguar se identiteti i tyre ishte i verifikuar dhe i dallonte ata nga mashtruesit.
Twitter kishte më shumë se sa 300,000 përdorues me këtë simbol identifikues, shumë prej tyre, gazetarë, atletë dhe figura publike.