Rregullorja e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovës, është publikuar në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian. E njëjta pritet të hyjë në fuqi më 15 maj të këtij viti ndërsa kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në shtetet e zonës Schengen nga 1 janari 2024.

Nënshkrimi i vendimit u mbajt 19 prill në selinë e Parlamentit Evropian, ku pjesëmarrës ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, transmeton Telegrafi.

Ceremonia e nënshkrimit është zhvilluar  në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.

Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.

Pas liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë deri në 90 ditë, në një periudhë brenda gjashtë muajsh, në të gjitha shtetet që janë anëtare në zonën Schengen.

Regjimi pa viza nuk nënkupton leje pune, por kosovarët do të mund të realizojnë vizita turistike apo të tjera për çështje familjare.

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha ka deklaruar se tashmë institucionet e Kosovës kanë kohë mjaftueshëm të ndërmarrin fushatat e nevojshme të informimit për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve që burojnë nga lëvizja e lirë në Zonën Shengen

“Sapo u publikua në gazetën zyrtare të BE-së Rregullorja 2023/850 e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas nenit 2 të Rregullores ajo hyn në fuqi me 15 maj 2023. Kjo do të lejoj mjaftueshëm kohë institucioneve të Kosovës të ndërmarrin fushatat e nevojshme të informimit për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve që burojnë nga lëvizja e lirë në Zonën Shengen, por edhe do jap mjaftueshëm kohë autoriteteve kufitare të vendeve të BE-së të përgatiten për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës nga 1 janar 2024″.