Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar këtë të shtunë fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit ku është ndalur në qytetin e Librazhdit aty ku ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shefki Çota.
Nga Librazhdi, Berisha u shpreh se qeveria Rama ka sjell varfërinë në Shqipëri, ndërsa në vitin 2013 Shqipëria ishte vendi me rrogat më të larta në rajon.
“Ne jemi vendi me rrogat më të ulëta në rajon. Sot ne jemi vendi me varfërinë më të dhimbshme në rajon. Por ama në vitin 2013 ishim vendi me rrogat më të larta në rajon. Ato rriteshin vit pas viti dhe me rritjen e tyre, rritej shpresa. Kurse sot, ndaj them ju votoni për veten tuaj, sot ndodhi që rrogat u ngrinë, por çmimet nuk u ngrinë. Çmimet në kushte tregu nuk i ngrin dot njeriu. Çmimet u rritën nga viti në vit dhe sot është shumë e dhimbshme. Vetëm nga rritja e çmimeve vitin e kaluar, çdo pensionist ka lënë dy pensione për ushqime më shumë se dy vite më parë. Ka shpenzuar, sipas ekonomistëve të pavarur, 430 mijë lekë ushqime më shumë. Sepse është dyfishuar çmimi i djathit, qumështit, mishit, zarzavateve, etj.
Çdo qytetar ka lënë një rrogë më shumë. A ju kujtohet ju premtimi i Edi Ramës për rrogën e 13-të. Jo vetëm që nuk ua dha rrogën e 13-të, por u mori edhe rrogën e 12-të. Të mbështesësh më 14 maj përfaqësuesit e Edi Ramës, mbshtet varfërinë!”
Më tej, Berisha e krahasoi Ramën me Enver Hoxhën. “Në disa aspekte, absolutisht më shumë se vetë Enver Hoxha. Ju mund të thoni pse krahasoni? Shiko, Edi Rama nuk ka skuadra pushkatimi, nuk ka kampe përqendrimi, por Edi Rama ka përzënien nga Shqipëria. Edi Rama po përzë shqiptarët nga Shqipëria me politikat që ndjek. Po i përzë vetëm se e di që nuk e votojnë!
Ky njeri që ka të gjitha pushtetet, si u soll me ju? Së pari dyfishoi taksat e biznesit. Së dyti, çfarë bëri për fermerët e fshatit? Ekziston një shprehje e studiuesve të diktaturave dhe ata thonë se diktaturat ndalojnë kohën në kuptimin e moszhvillimit”, tha Berisha.