Pas 5 ditëve bllokim me kërkesë të SPAK, janë zhbllokuar llogaritë e 2 vëllezërve nga Katari, Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat.

Të enjten, para tre ditësh, në llogarinë e kompanisë Albanian Land kanë mbërritur 195 milionë dollarë nga Katari. SPAK ka bllokuar të gjithë llogarinë bankare, pavarësisht se fondet ishin të ligjshme dhe të transferuara nga banka e investitorëve.

Këto para ishin destinuar për blerjen e tokave. Më pas, SPAK i ka zhbllokuar fondet, ndërsa së fundmi, një ose dy ditë më parë, shumat janë transferuar përmes noterit në llogaritë e Arben Shehut dhe pronarëve shqiptarë që kanë shitur tokat.

Megjithatë, sot SPAK ka vendosur sërish sekuestrim, këtë herë mbi llogaritë bankare të shitësve shqiptarë. Pra, ndërsa llogaritë e investitorëve nga Katari janë zhbllokuar, janë bllokuar llogaritë e pronarëve shqiptarë që kanë shitur tokën, pasi në to janë depozituar fondet e transferuara nga investitorët.

Me një vendim të habitshëm, Prokuroria e Posaçme vendosi nën sekuestro preventive, llogaritë bankare të ‘Albania Land Development’, kompania e cila zotërohet nga dy sipërmarrësit e njohur nga Katari, vëllezërit Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, të cilët kanë parashikuar të investojnë së bashku me Jared Kushner-in, dhëndrrin e presidentit amerikan Donald Trump, në ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec.

‘Albania Land Development’, rezulton të ketë blerë sipërfaqet e tokës mbi të cilën do të realizohet projekti. Ajo fillimisht, ishte në pronësi të Redi Strugës, i cili pasi e shiti, e emërua një nga tre administratorët e kompanisë, por me të drejtë të kufizuar të firmës.

Sekuestro preventive e SPAK-ut, vjen si pjesë e një hetimi të nisur disa javë më parë, mbi titujt e pronësisë në zonën e Zvërnecit. Sipas asaj që deklaroi një ditë më parë kryeministri Edi Rama, investitorët nga Katari, i kanë blerë sipërfaqet e tokës, përmes transaksioneve bankare, nga subjekte dhe individë të pajisur me tituj pronësie. Ndërhyrja e beftë e Prokurorisë së Posaçme, duke bllokuar llogaritë e kompanisë, rrezikon të verë në pikëpyetje investimin që në total përllogaritet, sipas deklarimeve publike, në 4 miliard euro, më i madhi i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, jo vetëm në fushën e turizmit.

lajm në përditësim…

GEAM Sh.p.k