12 kilogramë heroinë u gjetën të fshehura në bagazhin e një makine, sasi kjo që do të trafikohej në sheshet e narkomanëve në Athinë dhe Selanik.

Për rrjedhojë një shqiptar 33 vjeç dhe partnerja e tij greke 27-vjeçare janë arrestuar për këtë rast, pas një operacioni policor.

Më në detaje mësohet se Prokuroria e Narkotikëve të Selanikut duket se ka pasur informacion për transportin e drogës dhe kur mjeti që drejtohej nga 33-vjeçari shqiptar së bashku me partneren greke 27-vjeçare kanë mbërritur në rrugën e Malgarit të Ri (në PATHE), iu nënshtruan një kontrolli, nga ku u gjetën 25 pako të fshehura me kujdes, brenda bagazhit, me gjithsej 12 kilogramë e 200 gramë heroinë.

Sipas një njoftimi të Policisë Helene, bëhet me dije se personat e arrestuar prokuronin sasi të mëdha heroine, të cilat i ruanin dhe organizonin transportin e tyre dhe trafikimin e mëtejshëm brenda territorit grek.

Shqiptari i arrestuar, sipas të njëjtit njoftim, ka qenë i njohur nga policia greke për grabitje dhe vjedhje të rënda të kryera në bashkëpunim.

Të dy të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë Penale të Selanikut për të përcaktuar masën e ndalimit.