Betimi i Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, i planifikuar për t’u zhvilluar nesër, e martë 27 Qershor, nuk do të zhvillohet. Gjykata e Posaçme nuk ka aprovuar kërkesën e tij për të dalë me kusht dhe të rikthehej përsëri në qeli.
Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe bashkë me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, akuzohen për blerje votash.
Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës.
Në Himarë dhe në Vlorë pati protesta nga minoritarët, ndërsa rasti ju dërgua për kompetencë Prokurorisë së Posaçme.
Pavarësisht se u arrestua para zgjedhjeve, Fredi Beleri qëndroi si kandidat nga burgu dhe me ardhjen e mijëra minoritarëve nga Greqia arriti të fitonte zgjedhjet me një diferencë minimale votash, ndaj kandidatit socialist Jorgo Goro.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i dha atij mandatin, por Gjykata e Posaçme nuk ka lejuar që betimi i planifikuar për nesër të zhvillohet. Pritet se çfarë vendimi do të marrë qeveria socialiste e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, pasi ky i fundit ka thënë se do të vendosë sapo të përfundojnë zgjedhjet parlamentare në Greqi.
Zgjedhjet parlamentare në Greqi u zhvilluan dje, më 25 Qershor, dhe nga numërimi i votave u rikonfirmua kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
![](https://egnatianews.com/wp-content/uploads/2022/07/WhatsApp-Image-2022-07-21-at-7.14.33-PM.jpeg)