Safet Gjici i arrestuar për akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve vendorë, ka ankimuar masën e arrestit me burg. Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, Gjici i është drejtuar Apelit për prishje të vendimit të shkallës së parë.

Avokati mbrojtës i Gjicit ka ankimuar masën e arrestit në gjykatën e apelit me argumentin se tenderi që flitet në video nuk është shpallur asnjëherë nga bashkia e Kukësit dhe se klineti i tij nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit.

Lidhur me kërkesën për ndryshim mase, pritet që të hidhet shorti për caktimin e një gjyqtari, e më pas të caktohet një datë për shqyrtimin e kërkesës.

Safet Gjici u arrestua më 24 qershor me akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa pretendoi se nuk ka shkelur ligjin, por ra pre e një kurthi të ngritur nga ata që nuk e duan. Pas arrestimit të tij në lidhje me video skandalin  ku ai shihet teksa kryen marrëdhënie seksuale me një vajzë në ambientet e zyrës së bashkisë, SPAK po kryen veprime hetimore për të parë nëse ka persona te tjerë që e kanë ndihmuar Alma Kaçin për të realizuar videon.