Kryeministri Edi Rama ka bërë publike axhendën e takimeve të tij dyditore në 5 vende të Ballkanit Perëndimor, pasi i dha fund nismës për Ballkanin e Hapur, dhe rikthimit të rajonit në procesin e Berlinit.
Vendi i parë që do të vizitojë Rama është Maqedonia, ku pritet që të ketë takim atje me kryeministrin vendas Dimitar Kovacevksi, dhe më pas do të niset drejt Kosovës, ku e pret një axhendë ende e pakonfirmuar sa i takon takimit me kryeministrin Albin Kurti.
Rama do të takojë presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, ndërkohë që takimi me Kurtin mbetet pezull, sa kohë që ky i fundit i vendosi një kusht gjatë ditës së djeshme. Kurti tha se do të takohej me Ramën, vetëm në rast se ky i fundit do të linte një takim për mbledhjen mes dy qeverive, e cila u shty në mënyrë të njëanshme nga pala shqiptare në muajin Qershor.
Pas Kosovës, axhenda e Ramës vijon gjatë ditës së nesërme me takime të nivelit të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Malin e Zi dhe në Serbi, ku pritet që të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit ishte dhe një prej më të zhgënjyerve sa i takon qëndrimit të Ramës për ti dhënë fund nismës së Ballkanit të Hapur.