Fax news siguron dokumentin e SPAK, ku shihen të dhe vërtetohen të gjitha pagesat dhe udhëtimet që Arben Ahmetaj ka kryer jashtë vendit, ku faturat janë paguar nga biznesmenët Zoto e Mertiri.
Në shumicën e rasteve, ish zv kryeministri ka udhëtuar me bashkjetusen e tij, por ajo çka të bie në sy është bileta e datës 2 shkurt të vitit 2014, ku Ahmetaj ka udhëtuar me Damian Gjiknurin për në Frankfurt, ndërsa biletat janë paguar pikërisht nga dyshja e inceneratoreve Zoto-Mërtiri.
Në harkun kohor të 4 viteve është vërtetuar nga SPAK, se Ahmetajt i janë paguar vetë, fluturime dhe qëndrime në hotele rreth 35 mijë euro.
Damian Gjiknurin, ish-ministër i Energjisë dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në vitin 2014, ka thënë disa ditë më parë se nuk ka fjetur në hotelet e paguara nga biznesmeni i incineratorëve dhe se është i hapur për t’iu përgjigjur prokurorisë, nëse thirret.
I pyetur konkretisht nëse është takuar ndonjëherë me biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, Gjiknuri refuzoi të përgjigjej duke përsëritur: “Do jap sqarime në prokurori, nëse thirrem.”
Fax News ka siguruar dosjen e plotë të SPAK në ngarkim të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ku në rreth 320 faqe material, provohen dhjetëra komunikime ndërmjet deputetit socialist dhe biznesmenëve të inceneratorëve. I pyetur nga SPAK vetë Ahmetaj ka pretenduar se me Mërtirin dhe Zoton ka pasur komunikime, por jo periodike, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme ka siguruar biseda të vazhdueshme mes tyre, dhe madje pamje filmike ku shihen duke konsumuar darkë në shoqërinë e njëri tjetrit.
SPAK ka bërë edhe një hetim në lidhje me veprimet e Ahmetajt si biznesmen i një shoqërie telekomunikacioni në fillim të viteve 2000 të cilën e ka shitur përmes disa transaksioneve, pak kohë përpara se të futej në politikë. Shumica e komunikimeve me Klodian Mërtirin datojnë në vitin 2012, kur ende projekti i inceneratorëve ka qenë një ide futuriste, për shkak se socialistët gjendeshin ende në opozitë.
Këto komunikime janë siguruar përmes një telefoni të vjetër që është gjetur në banesën e ish-gruas së Ahmetajt, i cili i përkiste pikërisht deputetit socialist. Njohja e Ahmetajt me Mërtitin ka nisur në vitin 2008.