Komisioni Evropian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet për fondet e BE për bujqësinë në Shqipëri. Ky fakt është bërë i ditur në një reagim të delegacionit të BE-së në Shqipëri dhënë për “Ora News”.

BE-ja sqaron se pezullimi është bërë pas një hetimi të bërë nga agjentët e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit, OLAF, pas akuzave për korrupsion për zbatimin e fondeve IPARD II.

Bëhet fjalë për fondet e programit IPARD II për periudhën 2014-2020.

Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon.

Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.”