Ylli i “Euphoria” Angus Cloud ka ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare. Aktori, i njohur për rolin e tregtarit të drogës Fezco në serialin e HBO, vdiq në shtëpinë e familjes së tij në Oakland të Kalifornisë.
“Me zemrën të lënduar na u desh t’i themi lamtumirë një njeriu të jashtëzakonshëm sot. Si një artist, një mik, një vëlla dhe një djalë, Angus ishte i veçantë për të gjithë ne në shumë mënyra”, tha familja e tij në një deklaratë.
Familja zbuloi se Cloud vdiq menjëherë pas vdekjes së të atit.
“Javën e kaluar ai varrosi babanë e tij dhe luftoi intensivisht me këtë humbje. I vetmi ngushëllim që kemi është të dimë se Angus tani është ribashkuar me babanë e tij, i cili ishte shoku i tij më i mirë. Angus ishte i hapur për betejën e tij me shëndetin mendor dhe ne shpresojmë që vdekja e tij mund të jetë një kujtesë për të tjerët se ata nuk janë vetëm dhe nuk duhet ta luftojnë këtë vetë në heshtje. Shpresojmë që bota ta kujtojë për humorin, të qeshurën dhe dashurinë e tij për të gjithë. Ne kërkojmë privatësi në këtë moment pasi jemi ende duke e përpunuar këtë humbje shkatërruese”, shtoi familja.
Sipas TMZ, policia iu përgjigj një telefonate nga nëna e Cloud të hënën në mëngjes pasi ajo raportoi një “mbidozë të mundshme” dhe tha se djali i saj nuk kishte puls.
Ai u shpall i vdekur në vendngjarje, ndërsa asnjë shkak i vdekjes nuk është bërë i ditur për momentin.
Një burim tregon për PageSix se ylli i “Euphoria” kishte qenë duke luftuar me mendime të rënda vetëvrasëse pasi u kthye nga Irlanda, ku ishte varrosur babai i tij.
Cloud do të mbahet mend për rolin e tij të parë si Fezco në dramën e adoleshentëve “Euphoria”, në të cilën ai luajti për dy sezone.
Aktoi ka marrë role edhe në filmat “North Hollywood” dhe “The Line” dhe videoklipe për “Cigarettes” të Juice WRLD, si dhe “Mamiii” të Becky G dhe Karol G.