Përgjatë viteve të fundit shumë kompani kanë premtuar se do të ngrenë në fluturim avionë supersonik, që do të shkurtojnë kohën e udhëtimit mes qyteteve të ndryshme të botës. Një prej tyre është edhe kompania amerikane Aerion, e cila premton se avioni i saj i fundit, i zbuluar të hënën, do të jetë në gjendje të shkojë nga Los Anxhelos në Tokio në më pak se 3 orë.
Modeli Aerion AS3 mund të fluturojë në gati 13 mijë km/h, thotë kompania, me 50 pasagjerë brenda. “Vizioni ynë është që të ndërtojmë një të ardhme ku njerëzit mund të shkojnë për 3 orë nga njëri cep në cepin tjetër të planetit”, tha CEO i Aerion, Tom Vice.
Momentalisht, modeli është vetëm një koncept, i realizuar në partneritet me Qendrën Kërkimore të NASA-s. AS3 është avioni i dytë i kompanisë, që futet në familjen e avionëve hibrid elektrik. Modeli AS2, mbi të cilin vijon ende puna, synon të fluturojë për 4,5 orë nga Nju-Jorku në Londër.
Nëse realizohet me sukses, ky do të jetë avioni i parë supersonik që rikthehet në fluturim 50 vite nga hera e parë që një avion i tillë ka fluturuar. Kompania ka premtuar se prodhimi do të nisë në vitin 2023. Avioni i fundit supersonik me udhëtarë ka qenë Concorde, i tërhequr nga fluturimi më shumë se 17 vite më parë.